Dënohet me 8 vite burg inxhineri kinez në SHBA, spiunoi

31 vjeçari nga Kina është dënuar në SHBA me 8 vite heqje lirie, për spiunazh. Inxhinieri kinez punonte nën drejtimin e një njësie kyçe të inteligjencës shtetërore kineze, dhe kishte mundur të futej në ushtrinë amerikane përmes deklaratave të rremë.

Inxhinieri kinez Ji Chaoqun është dënuar me 8 vite heqje lirie me akuzën e spiunazhit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Autoritetet amerikane thanë se Ji Chaoqun punonte nën drejtimin e një njësie kyçe të Inteligjencës Shtetërore kineze dhe sipas Departamentit Amerikan të Drejtësisë,i ka dhënë informacion Ministrisë së Sigurisë Shtetërore të provincës Jiangsu në Kinë.

Urdhrat i merrte nga Xu Yanjun, zyrtar i lartë i këtij institucioni, i cili u bë oficeri i parë i Inteligjencës kineze, e një vit më parë u dënua me 20 vite burgim për komplot me qëllim vjedhjen e sekreteve tregtare nga kompanitë amerikane të aviacionit dhe hapësirës ajrore, përfshirë General Electric.

Ji Chaoqun ishte regjistruar në Rezervat e Ushtrisë Amerikane duke dhënë deklarata të rreme. Sipas zyrtarëve amerikanë, ai synonte të punësohej në Agjencitë e Sigurisë ndaj sulmeve kibernetike në mënyrë që të kishte akses në databazat e të dhënave. Sipas të dhënave 31 vjeçari kishte mbërritur në SHBA nëpërmjet një vize studentore 10 vite më parë.

Ai u arrestua në shtator të 2018 pasi u takua me një agjent të fshehtë të zbatimit të ligjit amerikan, i cili u paraqit si përfaqësues i Ministrisë së Sigurisë së Shtetit, të Kinës.

Në atë kohë ai u shfajësua përmes pozicionit të tij ushtarak .Ai kishte deklaruar se sapo të merrte nënshtetësinë amerikane dhe lejen e sigurisë, do të kërkonte një punë në CIA, FBI ose NASA.

Korrikun e kaluar, drejtori i FBI-së, Christopher Wray tha se Kina po përpiqej të "grabiste" pronën intelektuale të kompanive perëndimore në mënyrë që të mund të përshpejtonte zhvillimin e saj industrial dhe përfundimisht të dominonte industritë kryesore. Kina në atë kohë u përgjigj duke thënë se zoti Wray "po përpiqej të njolloste Kinën" dhe se kishte një "mentalitet të Luftës së Ftohtë".