Në pritje të tankeve, Zelensky: Koha, arma e përbashkët, Peskov: Nuk ndryshojnë asgjë
Ukraina pret nga Berlini një vendimarrje për ndihmë me tanke në frontin e luftës, por këto përforcime nuk përbëjnë asnjë shqetësim për Kremlinin. Çfare po ndodh në samitin e mbrojtjes së 50 vendeve të botës? Gjithçka është në dorë të Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë.
Berlini është kryeqendra e fokusit botëror nga ky pritet një vendim për Ukrainën. Minstrat e mbrojtjes nga 50 vende, po diskutojnë nëse do të dërgohen ose jo tanke, të perëndimit në frontin e luftës. Por Kremlini nuk ndiohet i cënuar nga një lëvizje e tille, siç bën të ditur zëdhënësi Dimitri Peskov .
"Nuk duhet ekzagjeruar rëndësia e tankeve, për sa i përket aftësisë që ato mund të kenë për të ndryshuar diçka. Kjo mund të ndihmojë Ukrainën, por nuk mund të ndalojë avancimin e palës ruse në rrugën drejt qëllimeve të saj," tha ai.
Ndërkohë Presidenti Zelensky kishte një mesazh të qartë , teksa falenderoi aleatët perëndimorë për ndihmën që kanë dhënë deri më tani, bëri të qartë se Ukraina ka nevojë për ndihmë ushtarake sa më shpejt.
"Qindra falenderime nuk janë qindra tanke, koha duhet të bëhet arma jonë e përbashkët. Rusia dëshiron sa më shumë fuqi për të shkatërruar kombin tonë. Kremlini duhet të humbasë. Lufta nuk lejon vonesa," tha ai.
Çështja e tankeve që konsiderohet vendimarrëse për Zelenskyn, pret fjalën e ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius i cili dhe ai varet nga qëndrimi i Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Lloyd Austin.
Bisedimet për përforcime ushtarake kanë lehtësuar forcat ukrainase, të cilat kanë pësuar humbje të mëdha gjatë javëve të fundit dhe veçanërisht ndaj luftës për Soledarin. Është shumë për të ardhur keq dhe është e vështirë, tha oficeri i ngarkuar për riparimin e tankeve në Brigadën 24.
"Bllokimi aktual nuk mund të thyhet nëse tanket e huaja nuk vijnë në një numër të konsiderueshëm. Ne do të ngecim këtu. Është e vetmja mundësi për të ndalur agresionin Rus," tha ai.
Mbetet për tu parë se çfarë do të dakordësohet ditën e sotme, nga rreth 50 ministra të mbrojtjes të mbledhur në Ramstein në ndihmë të Ukrainës, e cila i ka sytë nga aleatët e saj perëndimorë.