Ku u zhduken yjet që bien? Studimi: “Ndriçimi artificial” redukton ndjeshëm dukshmërinë

Prej më shumë se një dekadë, numri i yjeve që njwrëzit mund të shohin me sy të lirë është reduktuar në mënyrë dramatike. Ky është përfundimi i një studimi të shkencëtarëve gjermanë, dhe shkak sipas tyre është ndriçimi artificial i dritave në tokë.

Numri i yjeve që njërëzit mund të shohin me sy të lirë është reduktuar në mënyrë dramatike dekadën e fundit.

Shkak është ai që cilësohet "Skyglow" ose “ndriçimi artificial” nga dritat në tokë që është rritur çdo vit që nga 2011. Dr. Christopher Kyba, një shkencëtar në Qendrën kërkimore gjermane për Gjeoshkencat në Potsdam, tha se "pamja jonë për yjet po zhduket".

Në këtë përfundim u arrit pas një vëzhgimi 12-vjeçar të astronomëve amatorë, njerëzve dhe shkencëtarëve.

Ndryshimi në dukshmërinë e yjeve që njerëzit raportuan në një projekt në internet të quajtur “Globe at Night” ishte i barabartë me një rritje vjetore pothuajse 10%. Kjo do të thotë, sipas shkencëtarëve, se një fëmijë i lindur në një zonë ku shiheshin 250 yje, ndoshta do të shihte më pak se 100 yje në të njëjtin vend 18 vjet më vonë.

Studiuesit Fabio Falchi dhe Salvador Bará në një koment të botuar krahas hulumtimit shprehen:

"Duke parë imazhet dhe videot e Tokës nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës gjatë natës, njerëzit në përgjithësi mahniten nga 'bukuria' e dritave të qytetit. Ata nuk e kuptojnë se këto janë imazhe të ndotjes. Është si të admirosh bukurinë e ngjyrave të ylberit që benzina prodhon në ujë dhe të mos e pranosh që është ndotje kimike"

Dr Kyba tha se kishte shpresuar të shihte shenja përmirësimi gjatë viteve të fundit me ndriçimin LED.

"Shpresa ishte që nëse drita drejtohej më mirë, situata do të përmirësohej. Por ka kaq shumë lloje ndriçimi drita rrugore, dekorative, reklamuese. Pra, me të gjitha këto të kombinuara  dhe ndoshta më shumë ndriçim në përgjithësi, ne po e përkeqësojmë ndriçimin e qiellit."

Dobësimi nga drita i shkëlqimit të qiellit nuk pakëson vetëm pamjen tonë për yjet. Është treguar se ndikon në shëndetin e njeriut dhe gjumin e tij.

Ajo gjithashtu ndikon në sjelljen e disa kafshëve të natës, teksa një studim i fundit e lidh atë me rënien e insekteve lokale.