Hezitim për tanket në Ukrainë, SHBA jep mjete të blinduara, sisteme HIMARS e raketa, Gjermania pa vendim për “Leopardët”

Shtetet e Bashkuara do t’i japin Ukrainës mjete të blinduara, raketa “Himars” dhe sisteme të mbrojtjes ajrore si pjesë e paketës së re të ndihmës. Ndërkaq, pakoja 500 milionë euroshe e BE për Kievin është bllokuar nga vetoja e Hungarisë. Gjermania po heziton të autorizojë dërgimin e tankeve “Leopard”, shkak nga frika e acarimit me Rusinë.

Shtetet e Bashkuara do t’i japin Ukrainës një tjetër paketë ndihme ushtarake në vlerën 2.5 miliardë dollarë. Aty përfshihen qindra pajisje të armatosura dhe ndihmë shtesë për sistemin ajror. Departamenti amerikan i Mbrojtjes, theksoi se pjesë e paketës janë 59 pajisje luftarake Bradley dhe 90 transportues të blinduar Stryker.

Ushtrisë ukrainase do t'i dorëzohen edhe sisteme raketore HIMARS, sisteme për mbrojtje ajrore Avenger, mijëra predha të artilerisë, dhe 2.000 raketa. Deri tani, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë 27 miliardë dollarë si ndihmë për Ukrainën, që kur Moska ka nisur luftën në shkurt të vitit të kaluar.

Aleatët perëndimorë kanë ofruar po ashtu armë në vlerë të miliarda dollarëve për Ukrainën, por së fundi paketa e akorduar nga BE prej 500 milionë eurosh, po ndeshet në zvarritje për shkak të mungesës së unitetit mes vendeve anëtare. Konkretisht Hungaria ka bllokuar ndihmën ushtarake, prej gjysmë miliard eurosh, në paketën e shtatë të caktuar për Ukrainën.

Vendet anëtare të BE thuhet se do të përpiqen të negociojnë me Budapestin që të ndryshojë qëndrimin gjatë një takimi të ministrave të jashtëm, që mbahet të hënën e javës së ardhshme.

Më parë, Hungaria abstenoi për mbështetjen e Fondit Evropian të Paqes për Ukrainën, por nuk e bllokoi atë. Në dhjetor, Hungaria bllokoi 18 miliardë euro ndihmë makro-financiare për Ukrainën, por BE-ja gjeti përfundimisht një mënyrë për të dërguar paratë, pavarësisht kundërshtimeve.

Nga ana tjetër, Gjermania nuk ka zyrtarizuar ende vendimin e deklaruar për ti dhënë Ukrainës tanket Leopard, pavarësisht kërkesave të përsëritura të presidentit Zelensky.

Ky i fundit deklaroi në mediat gjermane se vendi i tij, do ti përdore tanket për tu mbrojtur dhe jo për të sulmuar Rusinë. NATO dhe vendet anëtare pritet të diskutojnë për këtë çështje në një takim në Ramstein, pasi dërgimi i tankeve Leopard, mund të bëhet vetëm me miratimin e Berlinit.

Nga ana tjetër Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, konfirmoi më 16 janar planet për të dërguar tanke Challenger 2, dhe një paketë me pajisje të tjera të sofistikuara ushtarake në Ukrainë, si pjesë e përpjekjeve për të bindur vendet e tjera perëndimore që të ofrojnë mbështetje të ngjashme për Kievin.

14 tanke do të dërgohen në javët e ardhshme dhe Britania po planifikon gjithashtu të dërgojë rreth 30 armë të mëdha vetëlëvizëse të njohura si AS90, bashkë me automjete të blinduara, dronë, raketa dhe fishekë artilerie.