Gjendet kufoma e 18-vjeçares që refuzoi të martohej me kushëririn e saj
Trupi i pajetë i 18-vjeçarit Saman Abbas, nga Pakistani, i zhdukur prej më shumë se një viti, është gjetur nga autoritetet italiane.
Saman jetonte në Novelara, në Italinë veriore, pranë Bolonjës, kur në vitin 2020 familja e saj i kërkoi të martohej me një kushëri, të cilën ajo e kishte refuzuar.
Meqenëse ishte e mitur, ajo iu drejtua Shërbimit Social, i cili e vendosi atë në një hotel në nëntor 2020.
Trupi i adoleshentes u identifikua nga të dhënat dentare pasi mbetjet njerëzore u zbuluan pranë shtëpisë së familjes së saj në nëntor 2022, raportoi agjencia e lajmeve Ansa duke cituar avokaten Barbara Iannuccelli.
Abbas nuk kishte dhënë asnjë shenjë jete që nga prilli 2021. Pesë anëtarë të familjes së saj, përfshirë babain dhe xhaxhain e saj, do të dalin në gjyq muajin e ardhshëm për të ashtuquajturën “vrasje nderi” që tronditi Italinë.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se nuk kishte më asnjë dyshim për identitetin e viktimës.
“Le të vendoset drejtësia për një grua të re të pafajshme që vetëm donte të jetonte lirinë e saj”, shkroi Meloni në Twitter, duke e shoqëruar postimin e saj me një foto të Abbasit.
Një kockë e thyer në pjesën e përparme të qafës mbështet teorinë se Saman u mbyt, tha Iannuccelli, një avokate e Organizatët Penelope, e specializuar në rastet e personave të zhdukur.
Prokurorët besojnë se familja u tërbua kur zbuluan se Saman kishte një lidhje me një djalë në Itali.
Autoritetet dyshojnë se adoleshentja u vra teksa kthehej në shtëpinë e familjes së saj për të marrë disa dokumente ndërsa jetonte në një shtëpi kujdesi nën kujdesin e Shërbimit Social.
Babai i saj Shabbar Abbas u arrestua në fshatin e tij në Pakistanin lindor në nëntor me dyshimin për vrasje. Ai gjithmonë e mohonte që vajza e tij kishte vdekur.
Xhaxhai i saj u ekstradua nga Franca dhe do të dalë në gjyq, së bashku me dy kushërinjtë e saj. Nëna e saj mbetet e lirë dhe besohet të jetë në Pakistan.

