Afganistan, talibanët ndalojnë OJQ-të të punësojnë gra

Talibanët në Afganistan kanë urdhëruar të gjitha OJQ-të e huaja dhe vendase që të ndalojnë së punuari me gratë, pas “ankesave serioze” se ato nuk respektonin një kod veshjeje.

Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Ekonomisë afgane. Goditja e re vjen vetëm disa ditë pas vendimit për të ndaluar gratë të ndjekin universitetet.

“Ka pasur ankesa serioze për mosrespektimin e hixhabit islamik dhe rregullave dhe rregulloreve të tjera që lidhen me punën e grave në organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare”, tha ministria, e cila është përgjegjëse për miratimin e licencave për OJQ-të që operojnë në Afganistan.

Ministria afgane e Ekonomisë saktësoi se "në rast të mospërputhjes me direktivën licenca e subjektit e cila është lëshuar nga kjo ministri do të anulohet".

Pavarësisht premtimeve të tyre për të qenë më fleksibël, pas kthimit në pushtet në vitin 2021, talibanët iu kthyen interpretimit ultra të rreptë të Islamit.

Që nga gushti i vitit të kaluar, masat drakoniane janë shumëfishuar, veçanërisht ndaj grave që janë përjashtuar në mënyrë progresive nga jeta publike.

Ndërkohë, dhjetëra gra demonstruan në Herat, në perëndim të Afganistanit kundër përjashtimit nga universitetet e vendit.

“Arsimi është e drejta jonë”, kanë bërtitur në rrugë të ndarë në grupe të vogla, siç tha njëra prej tyre për agjencinë Dpa.

Protestuesit u mblodhën para zyrës së guvernatorit të provincës, por më pas talibanët i shpërndanë duke përdorur ujë dhe shkopinj.

Talibanët gjithashtu shtuan praninë e tyre ushtarake në kryeqytetin Kabul, pasi dhjetëra gra demonstruan të enjten kundër ndalimit të universitetit. Sipas raportimeve, të paktën një nga gratë që po demonstronin është zhdukur.

Një ditë më parë, talibanët i kishin ndaluar gratë nga bankat e universitetit. Që kur morën pushtetin në gusht 2021, të drejtat e grave janë kufizuar ndjeshëm në Afganistan.

Gratë dhe vajzat janë praktikisht të përjashtuara nga jeta publike, pasi atyre u është ndaluar gjithashtu të shkojnë në parqe dhe palestra, dhe kushdo që lufton për të drejtat e tyre burgoset.