Mirënjohje dhe nderim për profesor Servet Pëllumbin

Nuk di të them se çfarë do të kishte ndodhur me Partinë Socialiste në kalamendjet e saj në atë kohe dilemash dhe pasigurish të mëdha, kur intelektualë kurajozë, vizionarë dhe atdhetarë të përkushtuar ditën të shfaqin dhe të dëshmojnë pjekurinë dhe maturinë e domosdoshme në kapërcyell të sistemeve, por një gjë mund ta them me bindje; pa urtësinë dhe mençurinë e fisme dhe pa largpamësinë prej udhëheqësi të Profesor Servet Pëllumbit, Partia Socialiste nuk do t’ia kishte dalë dot t’u mbijetonte sulmeve revanshiste, përpjekjeve për ta izoluar dhe mundësisht edhe për ta zhdukur atë që në lindjen, e jo më të mund të bëhej forca e besimit qytetar dhe e qeverisjes progresive, e cila u doli zot fateve të vendit e të kombit në periudhën më të vështirë të historisë tonë që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Servet Pëllumbi, në kushtet kur Kryetari i Partisë Socialiste Fatos Nano u burgos prej pushtetit të Sali Berishës, diti të krijojë kohezionin e domosdoshëm mes një ekipi drejtuesish të përbërë prej intelektualësh të zotë e me integritet të spikatur, të shquar në fushat e veprimtarisë së tyre, por që shumica e të cilëve nuk kishin përvojën e nevojshme politike, duke ofruar kësisoj jo vetëm eksperiencën dhe mençurinë e tij intelektuale dhe politike, por mbi të gjitha, vendosmërinë trimërisht të mençur dhe ndershmërinë e fisme, që e bënë atë jo thjeshtë e vetëm profesorin e dashur të socialistëve dhe simpatizantëve të tyre të shumtë, por edhe modelin apo shembullin e referencës për të gjithë.

Duke i prirë Partisë Socialiste në një rezistencë shembullore e gjithnjë në rritje përballë luftës së një pushteti që armiqësinë ndaj kundërshtarëve e kishte kredon e vet, me aktin e tij emblematik në protestën e 28 majit të vitit 1996 në sheshin “Skënderbej”, Servet Pëllumbi u bë edhe frymëzuesi i rezistencës qytetare.

Intelektual i denjë, i angazhuar, i thjeshtë dhe përherë fjalëmençur na vjen Profesor Serveti edhe sot në datën e lindjes.

Ndaj, e gjej të udhës të shpreh mirënjohjen dhe nderimin e merituar për gjithë angazhimin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë, dhe t’i uroj me gjithë zemër:

Të paçim gjatë dhe me shëndet profesori ynë i dashur!

Mirënjohje dhe nderim për profesor Servet Pëllumbin