Kroacia refuzon pjesëmarrjen në misionin e BE-së për trajnimin e forcave ukrainase
Ligjvënësit kroatë votuan dje kundër propozimit që Kroacia t’i bashkohet një misioni të BE-së në mbështetje të ushtrisë ukrainase.
Qeverisë kroate i duheshin 101 vota, nga 150 deputetë që ka në Parlament për të arritur dy të tretat e votave për të kaluar këtë propozim, i cili u mbështet nga 97 deputetë dhe u kundërshtua nga 10 të tjerë.
Edhe Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, që është komandant i forcave të armatosura kroate, e ka kundërshtuar këtë propozim, që do të kërkonte që trupat ukrainase të trajnoheshin në Kroaci. Ai tha se Kroacia nuk duhet të përfshihet në luftë dhe se propozimi do të shkelte Kushtetutën kroate, sepse në propozim nuk qartësohej baza për shpalljen e Ukrainës si shtet aleat, duke qenë se Kievi nuk është anëtar i Bashkimit Evropian apo NATO-s. Ndërsa opozita në Kroaci deklaroi se nuk dëshironte të bëhej peng i mosmarrëveshjeve politike midis krerëve të lartë të shtetit.
Ajo po ashtu argumentoi se Kushtetuta nuk parashikon që Parlamenti të marrë vendime për çështjet që zakonisht miratohen nga presidenti, në marrëveshje me Qeverinë.
Ndërsa kryeministri Andrej Plenkoviç, ka hedhur poshtë kritikat se procedurat ligjore janë shkelur kur ekzekutivi ka dërguar në Parlament propozimin, me shpresën që të fitojë dy të tretat e votave.
Në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, Bashkimi Evropian u pajtua në tetor për të krijuar Misionin e Ndihmës Ushtarake për mbështetjen e Ukrainës, dhe emëroi një gjeneral polak për të udhëhequr trajnimet. Shumica e trajnimeve është thënë se do të kryhen në Poloni. Njëzet e dy nga 27 shtetet anëtare të BE-së kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në këtë mision.