Kapen me pistoleta e kallashnikovë, prangosen 4 persona të lidhur me laboratorin e drogës në Fier
Polica e Tiranës ka finalizuar operacioni e koduar “Katrori”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Në këtë operacion janë vënë në pranga 4 persona, të cilët qarkullonin me një automjet me 2 armë zjarri pistoleta.
Policia bën me dije se 3 prej tyre ishin me precedentë kriminalë, në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve kundër personit.
Po ashtu blutë e Tiranës kanë gjetur edhe 2 armë zjarri kallashnikovë që i posedonte njëri prej personave të arrestuar.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë, në vijim të kontrolleve për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Katrori”. Si rezultat i këtij operacioni, u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit: Bledar Matoshi, 33 vjeç; Kid Koshena, 28 vjeç; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç dhe Redion Meshi, 22 vjeç.
Shërbimet e Policisë ndaluan në hyrje të fshatit Tujan, në rrugën e Arbërit, automjetin tip “Range Rover” me të cilin qarkullonin këta 4 shtetas. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, me krehëra me municion luftarak, të fshehura poshtë kofanos së automjetit. Në vijim të operacionit “Katrori”, u ushtrua kontroll edhe në banesat e këtyre shtetasve dhe si rezultat, në banesën e shtetasit të arrestuar Redion Meshi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe 2 armë zjarri kallashnikovë dhe një sasi municioni luftarak." - njofton policia.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 4 armë zjarri, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, 5 aparate celulare dhe automjeti me të cilin lëviznin 4 të arrestuarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


