Shef Titi, kuzhinieri plot humor rrëfen jetën mes Australisë dhe Shqipërisë, si u dashurua me kuzhinën aziatike

Emisioni "Jeto me Orën" në Rtv Ora kishte një të ftuar special këtë pasdite, shef Titin, kuzhinierin plot humor të televizionit.

Me vete kishte sjellë dhe tre pjata, specialitete të dala nga duart e tij për ti ndarë me publikun.

"Është një profesion sa i lodhshëm është dhe aq i bukur. Kur pastrohen pjatat jam i lumtur. Është një pasion shumë i vjetër" thotë ai me humor.

Në një rrëfim disi ndryshe, sheh Titi nga tregon se si erdhi pasioni i gatimit te ai.

"Gjyshja gatuante byrekë për të mbajtur familjen dhe i shiste nëpër fshatra. Byreqet i shkrinte. Im atë ka qenë kuzhinier kur ka qenë ushtarak te Shkolla e Bashkuar. Por unë nuk e mora kuzhinierin si profesion, kam punuar shofer nga '86-'90. Pas '90-tës emigrova në Australi.

Atje ka kultura të ndryshme, unë jam kurioz të di shijet. I kam provuar thuajse të gjithë llojet e ushqimeve. Dashuria për ushqimet aziatike atje lindi. Kanë teknikat e tyre salcat e ëmbla dhe të athta. Në Australi kam jetuar 17 vjet. Në Shqipëri pësova disfatë, mora dy lokale. Donte durim dhe investim. Plus dhe pozicioni.U punësova si kuzhinier pranë Tv Ora News".

Një kuzhinier në shtëpi duket bekim por këtu shef Titi duket se nuk është vetëm.

"Unë bëj marinimet, i përfundon ime shoqe. Edhe ajo ka qejf të gatuajë".

Dy çunat?

"Të tjerët vetëm dinë të hanë. Dy çunat një vezë e skuqin".

I pyetur se cila është pjata e tij e preferuar në kuzhinën tradicionale ai u përgjigj.

"Paçja e kokës, e kam aplikuar dhe në Australi. Ishte pa shpenzime shumë".

Vëmendjen na e tërhoqi dhe përparësja, të cilën tha se e kishte dhuratë nga një mik i tij.

Natyrën karizmatike që e karakterizon thotë se e ka spontane.

"Vjen spontanisht, kam qejf të luaj me fjalët që puna të shkojë vaj."

Por a ndodh të humbasë durimin?

"Ufff. Kur vi në 14:30 që është fluks, më bëj dy vezë të skuqura."

Ai foli dhe për eksperiencën televizive në Ora News me emisionin e gatimit.

"Një ditë të bukur një burrë i keq si Kel Demi më futi para ekranit. Unë kisha frika nga kamera, më duket sikur më hante kamera. Keli është nga miqtë e mi më të mirë. Unë nuk kam mbaruar shkollë për kuzhinier, kam bërë dy kurse online pasi jam kthyer".

Të gjithë e kujtoni "Kafsho", emisionin plot humor të gatimit me protagonist shef Titin dhe Herion Mustafaraj.

"Herioni është një nga partnerët më të mirë që kam pasur. Është djalë plot ide. Sa mirë shkonim edhe grindeshim. Ka qenë eksperiencë që nuk harrohet".