Taulant Balla i shkon në zyrë Presidentit për datën e zgjedhjeve vendore
Presidenti Bajram Begaj ka përfunduar diskutimet me përfaqësuesit e partive politike sa i përket përcaktimit të datës së zgjedhjeve vendore.
Mëngjesin e kësaj të enjte, 6 tetor, në selinë e kreut të shtetit mbërriti përfaqësuesi i Partisë Socialiste Taulant Balla, sipas të cilit selia rozë është e gatshme për të hyrë kurdo në garën elektorale.
"PS është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhje vendore në secilën prej datave që do të dekretonte presidenti dhe natyrisht ti fitojë ato" tha Balla pasi doli nga takimi.
Balla nuk pranoi të komentojë prezencën e Oerd Bylykbashit në takimet e zhvilluara dy ditë më parë në presidenc. Por përball medieve shigjetoi dhe Ilir Metën e po ashtu dhe Sali Berishën.
“Unë nuk di kë ka pritur zoti Begaj se nuk mbaj regjistrin kush hyn e kush del nga presidenca. Di që të gjitha autoritetet në këtë vend përfshi dhe presidentin respektojnë ligjin dhe gjykatat"
Kreu I shtetit do të duhet të firmosë para datës 27 tetor mbi ditën e zhvillimit të votimeve për ti hapur më pas rrugën KQZ në përgatitjen e procesit. Ndërsa sipas kodit aktual zgjedhor shqiptarët do ti drejtohen kutive të votimit në një nga të dielat mes dative 15 prill deri në 15 maj 2023.

