Grabitën me kallashnikov një pikë karburanti gjatë natës, kapen dy vëllezërit në Lezhë (Video)
Policia e Lezhës ka arrestuar dy vëllezër 21 dhe 16 vjeç të cilët kanë grabitur nën kërcënimin e armës një pikë karburanti në Shënkoll. Dy të rinjtë morën xhiron ditore dhe një aparat celular, ndërsa e gjithë skena u filmua nga kamerat e sigurisë së karburantit.
Ora shënonte 22:04 minuta, ndërsa dy vëllezërit David dhe M. Lalaj 21 dhe 16 vjeç shfaqen pranë një pike karburanti në Shënkoll, mbi një motorçikletë.
Të dy të maskuar, të rinjtë ndalojnë dhe nën kërcënimin e një kallashnikovi i marrin shitësit të karburantit një sasi lekësh dhe një aparat celular.
Teksa njëri prej vëllezërve Lalaj pret në motor, vëllai tjetër kryen grabitjen dhe të dy së bashku arratisen me shpejtësi.
Por, aventura kriminale e të rinjtëve nuk zgjati shumë.
Brenda pak orësh David dhe M. Lalaj me gjasë nuk e kanë ditur se e gjithë ngjarja është filmuar nga kamera e sigurisë.
Policia e Lezhës arriti të identifikojë autorët duke i arrestuar.
Gjatë kontrolleve, aty iu gjet motori me të cilin kryen grabitjen, kallashnikovi, dhe veshjet që kishin përdorur mesnatën e së enjtes.
Më tej, gjatë kontrollove në banesën e tyre është gjetur edhe celulari i grabitur nga punonjësi i karburantit.
Tanimë të dy vëllezërit do të përballen me Prokurorinë në Gjykatë ndërsa ndaj tyre janë ngritur 3 akuza të rënda të "Vjedhja me armë", "Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", të kryera në bashkëpunim.
