Ministria e Arsimit tregon 3 arsyet pse revokoi licencën dhe mbylli shkollën “Mehmet Akif”

Prindër dhe mësues të shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy” janë thirrur sot për të protestuar kundër mbylljes së institucionit arsimor parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”. Shkolla funksiononte si kolegj për vajza dhe djem dhe financohej nga fondacioni “Gulistan” i lakuar për lidhjet me klerikun turk Fetullah Gylen.

Heqja e licencës dhe mbyllja e shkollës jopublike “Mehmet Akif Ersoy”, konsiderohet si vendim pas të cilit fshihet kërkesa e Erdogan për të mbyllur institucinet arsimore të kundërshtarit të tij politik

Ndërkohë Ministria e Arsimit e mohon dhe i quan ‘spekullime”  dhe rendit tre arsye.

“Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizon se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekullimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi.  Ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë.

 1. Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës.

2. Nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre.

3. Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet.

Më tej ministria thotë se do të japë mbështetje për 160 nxënës dhe familjet e tyre dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit.