"Çmimet do bien kur populli të ngrihet" Meta: Rama është kryeoligarku, të tjerët janë ogiçë. Dara po shtrëngohet
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaron se çmimet do të bien kur populli të ngrihet.
“Ne do të bëjmë çdo gjë. Është e qartë që çmimet do bien kur populli të nrgihet. Dhe populli do ngrihet. Askush nuk ka pse të shqetësohet për denoncimet të cilt janë bërë me prova dhe janë në interesi të çdo qytetari."
Meta tha se aksioni opozitar do të vijojë të jetë me denoncime me fakte të asaj që e quan afera korruptive të Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
"Do të vijojmë të bëjmë denoncime. Jemi të qartë për objektivin. Edi Rama është objektivi ynë. Ai është kryeoligarku, të tjerët janë ogiçë, nënkontraktorë. Kush përpiqet të shfokusohet është shërbëtor i Edi Ramës”
Meta tha se opozita do të vijojë të bëjë denoncime me fakte e prova dhe do të intensifikohet
”Do të intensifikohet rritja e fuqisë investiguese, dhe e fuqisë denoncuese është e jashtëzakonshme dhe do të njohë përmasa spektakolare në javët që vijnë. Të jeni të sigurtë. Ndërkohë aksioni opozitar do të jetë shumë herë më i fuqishëm sesa vetë denoncimet dhe faktet dhe përfundimisht dara do ti shtrëngohet çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë. 10 vjet vjedhje, grabitje, mashtrime, koncesione, borxhe, fukarallëk i jashtëzakonshëm, polarizim i frikshëm dhe një poshtërim që i bëhet qytetarëve shqiptarë janë shumë më tepër se mjaft" tha Meta në një konferencë për median.
