Makinë gati për vrasje në servis? SPAK rikthehet tek fisi i Çapjave, në kërkim babai i Florenc Çapja
Babai i shumë të kërkuarit Florenc Çapja, është shpallur në kërkim, pasi në një servis në pronësi iu gjet në makinë e vjedhur që dyshohet se do të përdorej për një vrasje. Kontrolli në banesat dhe bizneset e Çapjave në Elbasan vjen pas dëshmive të Nuredin Dumani për përfshirje në disa ngjarje kriminale
Një makinë e vjedhur, me një kapele policie, disa plumba dhe dy targa u sekuestruan nga Policia e Elbasanit gjatë kontrolli me urdhër të SPAK në një servis në pronësi të babait të shumë të kërkuarit Florenc Çapja.
Mjeti tip Alfa Romeo që rezulton i vjedhur dy vite më parë në Kavajë ndërsa targat në qytetin e Elbasanit
Dyshimet e grupit hetimor janë se do përdoreshin nga Çapjat dhe Nuredin Dumani për ekzekutimin e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrri i ish kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, aktualisht i dënuar për një vrasje.
Për një plan të tillë ka dëshmuar Nuredin Dumani, vrasësi më pagesë tashmë i arrestuar.
Besohet se nga kjo dëshmi SPAK ka vendosur kontrollin e banesës dhe servisit të Florenc Capjas në lagjen Emin Matraxhiu.
Babai i tij, Fejzulla Çapja, 64 vjecar u shpall në kërkim, pronar i objektit si i dyshuar për ndihmë në veprimtari kriminale.
Ky dyshim përforcohet edhe nga akuzat e ngritura nga organi i akuzës që janë "Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", "Mbajtja pa të drejtë e uniformës" dhe "Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje".
Florenc Çapja është në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi akuzohet si porositës për vrasjen e at e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, në Vitin 2012 në Elbasan.
Lidhur me këtë ngjarja është vënë në pranga xhaxhai i tij Ardian Çapja.
Florenc Çapja u ndalua disa muaj më parë në Dubai, që prej 12 korrikut është i lirë në Emiratet e Bashkuara Arabe.