Zelensky: Mos e bëni Evropën si supermarket
Presidenti i Ukrainës i ka bërë thirrje edhe njëherë Brukselit që të mos lejojë shtetasit rusë të hyjnë në territorin Shengen. Megjithatë lideri ukrainas tha se BE-ja duhet të përjashtojë nga masa rusët që janë kundër regjimit të Vladimir Putin.
Presidenti i Ukrainës u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të ndalojnë dhënien e vizave për shtetasit rusë në mënyrw që blloku të mos bëhet si supermaket me dyer të hapura për këdo që ka mjete për të hyrë.
Sipas propozimit të kreut të shtetit propozimi nuk duhet të zbatohet për rusët që janë në rrezik për lirinë ose jetën e tyre nga politikat e Kremlinit.
"Duhet të ketë garanci që vrasësit rusë ose bashkëpunëtorët e terrorit shtetëror të mos përdorin viza Shengen. Evropa nuk mund të kthehet në një supermarket ku mund të hyjë kushdo. Kufizimet e vizave për qytetarët rusë janë të drejta. Të gjithë mbrojtësit e vlerave evropiane duhet të këmbëngulin për to", shprehet Zelensky.
Zelenski kërkoi ndalimin e vizave në një intervistë për Washington Post javën e kaluar, duke thënë se rusët duhet të jetojnë në botën e tyre derisa të ndryshojnë filozofinë e tyre.
Apeli i lideri ukrainas ende nuk ka gjetur mbështetje nga liderët kryesorë të BE-së.
Komisioni Evropian ka vënë në pikëpyetje mundësinë e një ndalimi të plotë, duke thënë se disa kategori të tilla si anëtarët e familjes, gazetarët dhe disidentët duhet të kenë gjithmonë viza.
Letonia, Lituania dhe Republika Çeke kanë ndaluar tashmë lëshimin e vizave për shumicën e rusëve, ndërsa Finlanda dhe Estonia së fundmi kërkuan që BE-ja ta ndërmarrë këtë vendim në unision.
Estonia tha të enjten se nga java e ardhshme do të parandalojë shumicën e rusëve që të hyjnë në vend me viza të lëshuara nga autoritetet estoneze, duke ndërprerë një rrugë të njohur për në zonën Shengen të Evropës pa pasaporta.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov denoncoi apelin e Zelensky këtë javë, duke thënë se "çdo përpjekje për të izoluar rusët ose Rusinë është një proces që nuk ka perspektivë".


