Tre ditë zie në Mal të Zi, flamujt në gjysëm shtizë për tragjedinë me 11 të vrarë

Flamujt në tre ditët në vazhdim në Mal të Zi do të jenë në gjysmë shtizë për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Cetinje, ku një 34 vjeçar ka qëlluar me armë zjarri disa kalimtarëve duke lënë 10 të vrarë. Mbetet i paqartë ekzekutimi i agresorit.

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç ka shpallur tre ditë zie kombëtare për masakrën me 11 të vrarë në Cetinje, mes tyre edhe agresori.  

Prokurorja e Malit të Zi, Andrijana Nastiç ka deklaruar se në mesin e të viktimave janë edhe dy fëmijë.

Mediet malazeze kanë raportuar se tragjedisë i ka paraprirë një konflikt familjar dhe më pas agresori 34-vjeçari Vuk Borilloviç ka qëlluar me kallashnikov në drejtim të kalimtarëve në rrugë.

Dëshmitarët e rastit në vendin e ngjarjes kanë thënë se agresori ka kaluar nëpër lagje dhe ka qëlluar në mënyrë të rastësishme në drejtim të qytetarëve që ndodheshin aty.

Nga të shtënat masive në afërsi të selisë qeveritare të vendit mbetën të plagosur edhe gjashtë persona, mes tyre edhe një pjesëtar i forcave të policisë.

Mësohet se dy të plagosur janë shtruar në spitalin e Cetinjes, ndërsa katër të tjerë janë transportuar në Qendrën Klinike në Podgoricë.

Pritet konfirmimi nga grupi i ekspertizës për të vërtetuar shkaqet e vrasjes së agresorit.

Fillimisht u raportua se 34-vjeçari mund të jetë vrarë nga një qytetar, por nuk përjashtohet as rasti se është vrarë gjatë përballjes me forcat e rendit.