U shpall nongrata nga Kosova, kush është gazetarja ruse Daria Aslamova e njohur nga shumë shtete si spiune?
Gazetarja ruse, Daria Aslamova, është shpallur të dielën person i padëshirueshëm në Kosovë.
Me vendim të ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, asaj i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet.
“Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara, cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Sveçla në një postim në Facebook.
Daria Aslamova është arrestuar nga Policia e Kosovës në veri të vendit më 6 gusht.
Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë ka raportuar më 7 gusht se media ku punon Aslamova - Komsomolskaya Pravda - ka thënë se ajo është liruar nga autoritetet e Kosovës në mëngjesin e së dielës dhe tani gjendet në Serbi.
Sipas redaktorëve të saj – që është thënë të kenë kontaktuar me Aslamovan – ajo tani është në Rashkë.
Rashka është qytezë në Serbi në afërsi të Jarinjës - pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë.
Aslamova është cituar të ketë thënë se pasi është marrë në pyetje, i është rekomanduar të lëshojë territorin e Kosovës.
Sipas mediumit ku punon ajo, Aslamova ka udhëtuar deri në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë me autobus.
Ajo u ka thënë redaktorëve të saj se edhe zyrtarët kufitarë në Serbi e kanë marrë në pyetje.
Sipas gazetës, Aslamova ka qenë në Serbi dhe Kosovë për të përgatitur “një material special për tensionet e fundit” mes dy vendeve.
Në një postim në rrjetin social Facebook, të datës 5 gusht, ajo shihet në fotografi me peshkopin Stefan të Serbisë.
“Me një bekim të tillë, nuk është e frikshme shkuarja në betejë”, ka thënë ajo në mbishkrimin e fotografisë.
“Raportim nga zonat e luftës”
Daria Aslamova, 52-vjeçare nga Rusia, është korrespodente speciale për të përditshmen ruse, Komsomolskaya Pravda.
Kjo gazetë njihet për qëndrimet e saj pro-Kremlinit.
Aslamova ka punuar edhe në Ukrainë si korrespodente lufte për kanalin që përhap propagandë ruse, Tsargrad.
Ajo është parë si gazetare në shumë zona të luftës përfshirë Çeçeninë, Abhazinë, Nagorno-Karabakun, Osetinë, Taxhikistanin dhe ish-Jugosllavinë.
Përgjatë karrierës së saj, ajo ka intervistuar ish-presidentin irakian, Sadam Hussein dhe presidentin sirian, Bashar al-Assad.
Ajo është arrestuar disa herë në zonat e luftës dhe e ka të publikuar edhe një libër me titull, “Ditari i një vajze famkeqe”.
Aktualisht Aslamova realizon një emision televiziv të titulluar, “Pikat e nxehta me Daria Aslamovan”.
Në disa postime në Facebook, ajo shihet se ka qenë në në Ukrainë, përkatësisht në rajonet e Mariupolit dhe Donbasit, pas shpërthimit të luftës së Rusisë në këtë shtet.
Presidenti rus, Vladimir Putin e ka urdhëruar më 24 shkurt atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Tri ditë para nisjes së luftës – më 21 shkurt - Putini pati marrë vendim për dërgimin e trupave ruse në rajonet e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës dhe pati nënshkruar dekretet për të njohur dy rajonet lindore të Ukrainës si Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luhanskut si entitete të pavarura.
Aslamova e ka konsideruar këtë vendim si fitore për këto dy rajone të njohura si Donbas.
“Kam qarë si fëmijë nga gëzimi! 8 vjet të gjatë… dhe ja ku jemi! Fitore”, ka thënë ajo në një postim të 22 shkurtit.
Separtistët pro-rusë kanë luftuar kundër forcave ushtarake në Donbas, prej vitit 2014, kur Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë./REL
