S’ka ‘paqe’ në Bruksel/ Reciprociteti, jashtë agjendës së takimit mes Kurtit e Vuçiç

Tensionet në rritje në veri të Kosovës duket se nuk do të ndryshojnë agjendën e dialogut të 18 gushtit në Bruksel. Nga qeveria kosovare thonë se tema e reciprocitetit është konkluduar nga të dy palët dhe nuk duhet të diskutohet më, por të zbatohet nga Serbia.

Dy vendimet e fundit të qeverisë së Kosovës për reciprocitetin sa i përket dokumenteve dhe targave ilegale nuk pritet të diskutohen në takimin e 18 gushtit në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç.

Nga ekzekutivi kosovar thonë se dy vendimet e fundit i përkasin vetëm institucioneve të Prishtinës dhe se marrëveshjet për reciprocitetin janë konkluduar në vitet e mëhershme në Bruksel dhe nuk mund të jenë temë e diskutimit.

Megjithatë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nuk tregon se cila do të jetë agjenda e takimit.

Menjëherë pas tensioneve në veri të Kosovës në 31 korrik, përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së Joseph Borrell thirri Kurtin dhe Vuçiç për t’u takuar në Bruksel.

Megjithëse dy liderët do të duhet të ishin takuar në fund të korrikut, në Prishtinë dhe Beograd dyshuan se takimi i gushtit do të fokusohej te tensionet në veri të Kosovës.

Për këtë presidenti i Serbisë, Aleskandar Vuçiç tha se do të shkonte në Bruksel për të folur për reciprocitetin, por nuk priste asgjë nga qeveria kosovare.

Të dielën, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i kanë bërë thirrje qeverisë Kurti që të bashkë koordinohet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Këto dy forca politike në deklaratën e tyre të përbashkët dyshojnë se zoti Kurti nuk është pajtuar me partnerët ndërkombëtarë për vendosjen e reciprocitetit.