Skandali i përgjimeve në Greqi/ Presidentja: Të hetohet ngjarja për përgjimin e liderit të PASOK
Presidentja e Greqisë i ka bërë thirrje autoriteteve që të zbardhin rastin e paprecedentë të përgjimit të kreut të partisë opozitare PASOK nga shërbimi informativ. Qeveria e Micotaqis këmbëngul se nuk ka qenë në dijeni për ngjarjen dhe e ka çuar çështjen në parlament.
Presidentja e Greqisë Katerina Sakelaropulu ka bërë thirrje për hetime lidhur me përgjimet e telefonit të një udhëheqësit partisë së tretë më të madhe në vend, PASOK nga shërbimi i inteligjencës.
Skandali shpërtheu javën e kaluar mes shqetësimeve në rritje në Bashkimi Evropian se rasti mund të kishte të bënte me përdorimin e softuerit famëkeq spyware.
Ngjarja shkaktoi një skandal të madh në shtetin helen, ndërsa partitë opozitare i etiketuan përgjimet si të stilit Watergate nga ana e kryeministrit Qirjakos Micotaqis.
Në një deklaratë, Sakelaropulu tha se mbrojtja e së drejtës për privatësi ishte një kusht themelor i një shoqërie demokratike dhe liberale dhe se respekti për demokracinë tejkalon politikën.
Kreu i qeverisë këmbëngul se ai nuk ka qenë në dijeni se telefoni i kryetarit të PASOK, Nikos Andhrulaqis ishte përgjuar, ngjarje e cila mund të çojë në dorëheqjen e tij.
Kreu i partisë Socialiste PASOK dhe anëtari i Parlamentit Evropian, Andhrulaqis pretendoi të premten se Shërbimi Informativ Kombëtar kishte përgjuar bisedat e tij vitin e kaluar.
Ngjarja çoi në dorëheqjen e kreut të Shërbimit Informativ dhe shefit të kabinetit të Micotaqis.
Një zëdhënës i qeverisë tha se përgjimi ishte i ligjshëm dhe se ai u miratua nga një prokuror.
Qeveria nuk ka thënë pse telefoni i Andhrulaqis u përgjua, për të cilën kreu i qeverisë tha se nuk do ta kishte lejuar nëse do të ishte në dijeni.
PASOK është partia e tretë më e madhe politike në Greqi dhe rivalja kryesore e Partisë konservatore të Micotaqis, Demokracia e Re.
Qeveria ka thënë se do të mbështesë një kërkesë të opozitës për një komision hetimor parlamentar për këtë çështje.