SHBA paralajmëron: Irani planifikon të furnizojë Rusinë me drone

Irani planifikon të furnizojë Rusinë me qindra dronë për luftën në Ukrainë, disa dhe me aftësi luftarake, ka thënë një zyrtar amerikan.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, tha se informacionet e marra nga SHBA tregonin se Irani po përgatitej të trajnonte forcat ruse për të përdorur dronët.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Ai shtoi se ishte e paqartë nëse Irani i kishte dorëzuar ato ende.

Dronët kanë luajtur një rol integral në luftë si për Ukrainën ashtu edhe për Rusinë.

Vetëm javën e kaluar, Ukraina bëri thirrje për donacione të mijëra dronëve për të ndihmuar përpjekjet e saj të luftës.

Të dyja palët po i përdorin ato për të dalluar pozicionet e armikut dhe më pas për të ndihmuar në drejtimin dhe korrigjimin e zjarrit të tyre të artilerisë në një objektiv.

Kremlini ka njoftuar se presidenti rus Vladimir Putin do të udhëtojë në kryeqytetin e Iranit, Teheran, më 19 korrik. Ai pritet të takohet me presidentin iranian Ebrahim Raisi dhe atë të Turqisë Rexhep Tajip Erdogan për bisedimet e paqes mbi Sirinë.

Sullivan shtoi se informacionet e marra nga inteligjenca amerikane mbështesin pikëpamjen se sulmi i Rusisë në Ukrainën lindore "po vinte me një kosto për ruajtjen e armëve të veta".

Ai gjithashtu vërejti se dronët iranianë ishin përdorur më parë nga rebelët Houthi të Jemenit për të sulmuar Arabinë Saudite.

Komentet e tij erdhën përpara vizitës së presidentit amerikan Joe Biden në Izrael dhe Arabinë Saudite këtë javë. Asnjë prej vendeve nuk i është bashkuar deri më tani sanksioneve kundër Rusisë për luftën e saj në Ukrainë.

Izraeli e sheh Iranin, i cili kërkon eliminimin e tij, si kërcënimin më të madh rajonal, raporton BBC.