Vajza në koma prej tre javësh rihap sytë falë zërit të Gigi D'Alessios

U desh vetëm një moment, në fillim të qershorit. Një vogëlushe nuk ju bind urdhrit, nxori kokën nga dritarja e makinës me të cilën po udhëtonte me prindërit dhe u godit nga një traktor që po kalonte pikërisht në atë moment ngjitur me mjetin.
Kështu Giulia, një vajzë pesëvjeçare, përfundoi në koma dhe qëndroi atje për gati tre javë.
"Hajde Giulia, lufto, do të pres në koncertin tim. Mos u dorëzo, të gjithë të duam", ishin fjalët e këngëtarit Gigi D'Alessio në videomesazhin dërguar Fabrizios dhe Valerias, prindërve të vajzës.
Por këto fjalë rezultuan të 'shenjta'. Pasi dëgjoi mesazhin bashkë me familjen e saj, Giulia hapi sytë për disa sekonda.
Fëmija rrezikoi të vdiste, por një operacion i gjatë i kryer në spitalin “Gemelli” në Romë i dha mundësinë të jetonte.
Megjithatë, dëmtimi serioz në kokë i shkaktuar nga përplasja, komprometoi përfundimisht aktivitetin e trurit të Giulia-s.
Por shpresat nuk u shuan kurrë dhe kjo dha rezultat. Giulia ka rifilluar nevojat e saj fiziologjike, një shenjë pozitive e kombinuar me lotët që ranë në fytyrën e vajzës pasi dëgjoi fjalët inkurajuese të shqiptuara nga këngëtari napolitan.
E gjithë kjo u bë e mundur falë ndërmjetësimit të një polici, Norberto Scala, në detyrë në selinë e policisë së Frosinones dhe mikut të Gigi D'Alessio.
Gjyshi i vogëlushes, Sandro, e shprehu lumturinë e pamasë për këtë kthesë në shëndetin e mbesës së tij.
“Zoti e bekoftë, bëri një gjest të bukur që nuk do ta harrojmë kurrë”.

