Mori çmimin e tretë në Festivalin e Këngës në RTSH/ Eldis Arrnjeti: Emocionet më të mëdha në jetë
Eldis Arrnjeti është këngëtari i ri, por vetëm në moshë sepse këngën e ka nisur shumë vite më parë. Talenti i ka spikatur që në fëmijëri, ndërsa sapo mbushi 18 vjeç menjëherë dërgoi këngën e tij në Festivalin e Këngës në RTSH dhe nuk do t'ia merrte mendja aspak se do të merrte çmimin e tretë.
I ftuar në emisionin “Jeto me Orën”, në RTV Ora, artisti i talentuar rrëfeu emocionet teksa theksoi se sido që të “akuzohet” ky festival, bën shumë bujë dhe flitet shumë për të.
Eldis Arrnjeti: “E gjithë gjëja dhe pjesëmarrja në Festivalin e Këngës ka qenë surprizë për mua, pa marrë parasysh pjesën e çmimit që nuk e prisja aspak të them të drejtën. E gjithë gjëja vazhdoi dhe mbaroi dhe unë nuk e kuptoja çfarë po ndodhte sepse ishin emocione të mëdha. Që nga momenti që kënga u pranua, sepse është viti i parë që unë mora pjesë, për shkak të moshës, duke qenë se duhet të jesh mbi 18 vjeç. Mendova thjesht të merrja pjesë, nuk kisha pritshmëri, thjesht doja të kisha një këngë në arkivën e RTSH-së. Kur mora vesh që u pranua kënga, isha thjesht “waw”, sepse shumë prej artistëve nuk i është pranuar."
Ai tha se kur ka parë emrin e tij në top 20 emrat e përzgjedhur është ndjerë shumë i lumtur.
Eldis Arrnjeti: "Kur pashë emrin tim në top 20 emrat e përzgjedhur u ndjeva shumë i lumtur. Emocioni ishte i madh sepse ishte hera e parë që përballesha me atë skenë aq të madhe. Kam përvojë, kam marrë pjesë në festivale, por ajo ishte e para herë me një publik vërtet aq të madh. Mendoja dhe pjesën e kritikave, që do të ishin të mëdhaja. Ky festival sado që përflitet, ka gjithmonë ka bujë, flitet për të dhe unë kam përjetuar emocione të mëdha”.
