Gjyqtarët e prokurorët e korruptuar, Kraja: S'është bërë asnjë kallëzim. Në qershor gati grupi i dytë i BKH
Një ndër rekomandimet e vazhdueshme të KE-së është dhe procedimi penal ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga vetingu për korrupsion. Një kërkesë e tillë është përsitur me ngulm edhe nga kryeministri Edi Rama. Ky i fundit sulmoi kreun e SPAK, Arben Krajën madje duke thënë se po kryen hetime vetëm në kampin socialist dhe jo të tjerëve.
Gjatë raportimit në Këshillin e Sigurimit, kreu i SPAK bëri të ditur se institucionet përkatëse nuk kanë bërë asnjë kallëzim penal ndaj këtyre gjyqtarëve, ndërkohë që ligji ka përcaktuar qartë se kush mund të hetohet.
“Rekomandim i vazhdueshëm i KE ka qenë të garantohet që procedimet penale iniciohen në mënyrë të vazhdueshme ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të akuzuar për sjellje kriminale gjatë procesit të vlerësimit.
Subjektet ndaj të cilave mund të nisim hetim dhe që lidhen me këtë rekomandim janë vetëm ish gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese dhe ish Prokurori i Përgjithshëm.
Organet e rivlerësimit kalimtar nuk kanë paraqitur kallzim penal kundër gjyqtarëve apo prokurorëve të shkarkuar apo dorëhequr. As institucioni i Kontrollit të Deklarimit të Pasurive nuk ka paraqitur kallëzim penal. Nga SPAK janë regjistruar procedime penale dhe hetime ndaj disa subjekte në cilësinë e gjyqtarit apo prokurorit”
Edhe ato hetime që janë nisur janë nisur me iniciativën e vetë prokurorëve.
“Hetimet janë regjistruar mbi bazë kallëzimi dhe kryesisht nga prokurorët vetë. Nga gjykata e Posaçme janë dënuar për korrupsion një gjyqtare e dy prokuror. Janë procedime penale të nisura kryesisht nga SPAK. Në hetim janë tre ish gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Dy ish gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese në gjykim.
Sekuestrimi i pasurisë
SPAK tha se janë sekuestruar një numër të konsiderueshëm pronash dhe me vlerë të lartë në pronësi të ish gjyqtarëve apo prokurorëve që janë në proces penal dhe po vijohet drejt konfiskimit.
Kreu i SPAK njoftoi se grupi i dytë prej 32 hetuesve po trajnohet nga agjentë të FBI-së dhe ekspertë më të mirë shqiptarë dhe DIA italiane. Ky grup do të përfundojë trajnimin në mes të qershorit 2022.
