Balla pyet SPAK-un: Pse nuk hetohet 21 janari, Gërdeci dhe non grata, a ka procedim për Berishën?
Mazhoranca ka shfrytëzuar mbledhjen e Komitetit të Integrimit për ti kërkuar sërish SPAK-ut të nisë hetimet për Sali Berishën pas shpalljes non grata nga SHBA. Opozita reagoi duke i cilësuar këto deklarata si ndërhyrje politike. Ndërkohë kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, u kujtoi deputetëve se zbaton vetëm ligjin që vetë ata kanë votuar e miratuar.
"Kush jeni ju? Ta mbaroj unë pastaj."
Politika nuk gjen qetësi me dosjet që po hetohen nga SPAK, qoftë ato publike apo ato që janë në proces jashtë vëmendjes politike.
Pas arrestimit të ish-ministrit, Lefter Koka, dhe deputetit Alqi Bllako, tashmë është dhe dosja "Sami Frashëri" që ka shkaktuar tensione në PS.
Nga ana tjetër deputetët e mazhorancës këmbëngulin në rekomandimin për hetimin e Sali Berishës.
Kërkesë kjo që u ngrit nga Taulant Balla edhe në Komisionin e Integrimit përballë kreut të SPAK.
Balla: Pyetja ime për SPAK është pse Prokuroria e Posaçme nuk heton 21 janarin, pse SPAK nuk bën transparencë se çfarë po ndodh me korrupsionin në Gërdec, vrasja është një gjë tjetër, korrupsioni që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit është një gjë shumë më e madhe, në kuptimin e pazbulueshmërisë të kulturës së mosndëshkimit. E treta, çfarë opinioni ka prokuroria shqiptare për non gratën? SHBA kanë përcaktuar publikisht Berishën, ish-president i Shqipërisë, ish-kryeministër për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Berisha është përfshirë në veprime korruptive.
Diskutimi i Ballës ka sjellë reagimin e Jorida Tabakut.
Tabaku: Balla mbaroje, por të fokusohemi te procesi i integrimit.
Balla: Ka të bëjë me procesin e integrimit edhe kjo.
Tabaku: Se filloj edhe unë me non gratat e tjerë.
Balla: Ruani qetësinë! Shqipëria si një vend që cilësohet partner strategjik duhet ta marrin seriozisht dokumentacionin e SHBA-ve. A ka regjistruar ndonjë procedim penal për këtë? A keni dorëzuar ndonjë letër-porosi në SHBA për këtë?
Madje deputetja e opozitës i ka konsideruar edhe një herë si ndërhyrje politike deklararat dhe kërkesat e mazhorancës në adresë të Prokurorisë.
Tabaku: Nuk janë ato një sinjal i faktit që nuk po i kontrolloni këto institucione dhe i sulmoni? Të njëjtat mendime që ndatë për një deputet të Parlamentit të Shqipërisë, ti ndani për personat non grata nga ana e Partisë Socialiste.
Vetë kreu i SPAK edhe një herë as e ka pohuar dhe as e ka mohuar një hetim për Berishën, por deputetëve u kujtoi ligjin që ata vetë kanë miratuar.
Kraja: Për arsye të kufizimeve ligjore unë nuk do të jap asnjë përgjigje për çështje konkrete dhe gjithashtu nuk do të jap asnjë opinion për institucionet e tjera, kushdo qofshin ato. Kjo është e shkruar në ligjin që keni miratuar ju.
Gjatë diskutimeve u ngrit edhe një herë shqetësimi për numrin e reduktuar të prokurorëve që kanë mbetur në sistem, por po ashtu u deklarua dhe nisja e shqyrtimit të dosjeve të së paku 30 gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga vettingu.
