Kap ça të kapësh
Ditët e fundit vihet re se çmimet e hoteleve në Tiranë janë rritur shumë për datat kur do të mbahet finalja e "Conference League".
Sjellje tipike e një vendi që refuzon të jetojë e zhvillohet me qëndrueshmëri.
Kjo ndodh në çdo sektor në vendin tonë. Sapo dikush apo një komunitet kupton se ka diçka në dorë, abuzon e sillet tej çdo norme bazike shoqërore dhe ekonomike.
Sjellje e tipit "Kap ç'a t'kapësh" e stimuluar nga kultura e gabuar e këtyre viteve tranzicion e cila i shërben veç sharrës që pret degën ku kemi hipur.
Kap ça të kapësh kur ke lokalin apo hotelin në bregdet e vjen sezoni turistik.
Kap ça të kapësh kur bie tërmeti e shtohet kërkesa për banesa me qira e diktuar nga nevoja ekstreme.
Kap ça të kapësh kur krijohet radha prej 40 km me emigrant në kufirin me Greqin dhe 1 ujë e shet me 5 mijë lekë.
Kap ça të kapësh kur bëhesh inspektor dhe i turresh njerëzve para mbrapsh duke i vënë para zgjedhjes o gjobën e shtetit o gjobën e shefit.
Kap ça të kapësh kur bëhesh gjyqtar dhe e kthen shenjtërinë e asaj pune në tregtar fatesh.
Kap ça të kapësh kur hedh dinamit në det pa menduar se je duke shfarrosur të ardhmen.
Kap ça të kapësh kur pyjet e Lurës e mbarë Shqipërisë i pret që të blesh benz tipi fundit.
Kap ça të kapësh kur bëhesh ministër e jep me konçesion çfarë të del para.
Kap ça të kapësh kur bie pandemia dhe 1 maskë e shet 5 mijë apo 10 mijë lekë.
Kap ça të kapësh kur mantelin e shenjtë të doktorit e kthen në jakat e bardha të babëzisë kur virusi i mallkuar bën kërdinë në jetë e doktori i shpërfytyruar e shet ilaçin nga 20 euro në 2000 euro veçse e di që ti po lufton me jetën. Kap ça të kapësh edhe kur të respektojnë e të sjellin në Tiranë një finale sportive të rëndësishme e ti dhomën e hotelit nga 100 euro e çon në 500 euro.
Kap ça të kapësh kur bëhet luftë në Ukrainë e i rrit çmimet më shumë se në vetë vendin ku bëhet lufta.
Kap ça të kapësh kur në kohë krize edhe shteti shfrytëzon mundësinë që spekulantët rrisin çmimet e në vend që t'i godas spekulantët kthehet në ortak me ta e taton mbi çmimet abuzive duke i futur dhunshëm dorën në xhep qytetarit.
Mendësi që nuk ka fare lidhje me tregun, kërkesë-ofertën, apo lirinë ekonomike, por qartësisht lidhet me mendësinë që u mboll e u rrit në këto vite tranzicion e që përmblidhet me shprehjen "Kap ç'a t'kapësh" se dhe vetë Shteti është kap ça të kapësh.

