Qemal Stafa është heroi i popullit!

Sot do të duhej të ishte përkujtuar me nderime shtetërore 80-vjetori i vrasjes së “Heroit të Popullit” Qemal Stafa.

Sot do të duhej që të gjithë ata që janë në pushtet dhe që qeverisin Shqipërinë e vlerave antifashiste; Presidenti i Republikës, Kuvendi i deputetëve dhe kryetarja e tij, qeveria e socialistëve dhe Kryeministri që mburret se është edhe partizan, edhe ballist, bashkia e Tiranës, por edhe e Shkodrës, edhe e Elbasanit e mandej e gjithë Shqipëria të nderonte kujtimin e Qemal Stafës, patriotit dhe idealistit komunist që i dha lirisë së atdheut gjithçka; edhe shpirtin, edhe jetën e tij në moshën më të bukur.

Mirëpo sot, askush prej tyre, as Kryetari i Shtetit, as Kryetarja e Kuvendit, as Kryeministri, asnjë ministër, as kryetari i bashkisë së Tiranës, nuk gjetën dot qoftë edhe vetëm 5 minuta kohë, për të vënë një tufë me lule mbi varrin ku prehet apo në vendin ku e vranë Qemal Stafën!

Ata të gjithë e rivranë Qemal Stafën edhe sot në 80-vjetorin pas vrasjes së parë, me harresën e tyre dhe me gjendjen skandaloze në të cilën e kanë lënë varrin e tij dhe lapidarin e ngritur në vendin ku e vranë më 5 maj 1942.

Ne shkuam sot dhe po ju sjellim përmes kameras së emisionit “DREJT” pamjet nga vendi ku u vra Qemal Stafa.

Shikojini dhe konkluzionin nxirreni vetë.

Nuk ka nevojë për asnjë koment!

Kjo është vëmendja e nderimit dhe përkujdesja e respektit shtetëror për “Heroin e Popullit” Qemal Stafa.

Ky vend do të duhej të ishte sot një nga qendrat e përkujtimit dhe nderimit te tij.

Do të duhej të ishte shenja e dëshmisë se emri i Qemal Stafës dhe respekti ndaj kontributit të tij nuk janë hipokrizi.

Mirëpo, për fat të keq, pamjet flasin vetë.

Ato akuzojnë dhe dëshmojnë turpin dhe pafytyrësinë e një tufe horrash që shkelin dhe pështyjnë mbi gjakun e të rënëve, edhe pse shpërndajnë foto nga homazhet në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut!

Qemal Stafa nuk ka nevojë për vëmendjen dhe nderimin e tyre.

Ai është në panteonin e nderit të nderimit dhe vetëdijes shqiptare.

Qemal Stafa është heroi i popullit!