Tentoi të shpërqëndrojë policinë me 20 mijë lekë për të kaluar drejt Malit të Zi me 30 klandestinë, arrestohet
Policia e Shkodrës ka arrestuar një 21-vjeçar nga Kruja, i cili po transportonte me kamionçinë 30 shtetas nga Bangladeshi kundrejt fitimit. Në pranga ka rënë Ardit B.
Ky shtetas, për t’i shpëtuar kontrollit në brendësi të automjetit ku ndodheshin shtetasit nga Bangladeshi, tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore, duke iu ofruar një shumë parash.
"Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B. 21 vjeç banues në Krujë, për veprat penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.Ky shtetas po udhetonte me automjetin tip Kamionçinë në aksin rrugor Shkodër-Hani Hotit, dhe në vendin e quajtur “Vukpalaj”, është ndaluar nga shërbimet e Policisë pjesëmarrëse në operacion. Drejtuesi i mjetit, për t’i shpëtuar kontrollit në brendësi të kamionçinës, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore duke iu ofruar një shumë parash" njoftoi policia.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në automjet dhe në brendësi të tij kanë gjetur 30 shtetas të huaj nga vendet e treta (Bangladeshi), të cilët ky shtetas po i transportonte në drejtim të kufirit të gjelbër, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, në drejtim të Malit të Zi.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.




