Raporti: Botës iu shtuan 160 milionë njerëz të varfër, 10 njerëzit më të pasur në botë dyfishuan milionat

Periudha e pandemisë ka bërë që njerëzit më të pasur në botë, të shtojnë akoma më shumë pasurinë e tyre, ndërsa hendeku me ata që jetojnë në varfëri është thelluar.

Sipas një raporti të organizatës për bamirësi “Oxfam”, 10 njerëzit më të pasur në botë kanë dyfishuar pasurinë e tyre të përbashkët që nga marsi 2020.

Raporti që mban titullin, “Pabarazia vret”, tregon se miliarderët  Elon Musk, Jeff Bezos, Bernard Arnault, Bill Gates, Larry Ellison, Larry Page, Sergey Brin, Mark Zuckerberg, Steve Ballmer dhe Warren Buffet dyfishuan pasurinë tyre gjatë pandemisë.

Fitimet e tyre kolektive u rritën nga 700 miliardë dollarë në 1.5 trilion dollarë, me pasurinë e Musk që u rrit me më shumë se 1000%, ndërsa e Gates u rrit me 30%.

Një konfederatë bamirësie që fokusohet në zbutjen e varfërisë globale, “Oxfam” tha se pasuria e miliarderëve u rrit më shumë sesa në 14 vitet kur ekonomia botërore po vuante recesionin më të keq që nga rrëzimi i Wall Street-it të vitit 1929.

Sipas raportit, çdo 4 sekonda 1 person vdes në botë për shkak të urisë, qasjes së kufizuar në shërbimet shëndetësore, krizave humanitare të shkaktuara nga ndryshimet klimatike dhe dhuna.

Nga ana tjetër, u zbulua se numri i grave që punojnë është ulur me 13 milionë në këtë periudhë krahasuar me vitin 2019 dhe mbi 20 milionë vajza janë në rrezik të pamundësisë së kthimit në shkollë.

Raporti i “Oxfam” mbi pabarazinë globale vjen në pritje të takimit të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.