Javë e ngarkuar diplomatikisht, amerikanët nuk e dinë nëse Putini do ta sulmojë Ukraninën
Amerikanët dhe rusët nuk kanë rënë dakord këtë javë për një zgjidhje të situatës në Ukrainë. Amerikanët thonë se topi tashmë është në fushën e rusëve, por se do ta mbrojnë edhe ushtarakisht Ukrainën, ndërsa rusët thonë se durimi ka marrë fund. Të gjithë janë të shqetësuar për një luftë në Ukrainë.
Këtë javë, zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë janë takuar për të biseduar mbi krizën në Ukrainë. Por ende, sipas medieve amerikane, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe diplomatët e lartë nuk e kanë të qartë se cila është rruga që do të ndjek Moska për këtë konflikt.
“Ne jemi të përgatitur të vazhdojmë me diplomaci për të avancuar sigurinë dhe stabilitetin”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan. “Jemi po aq të përgatitur nëse Rusia zgjedh një rrugë tjetër”, do të vijonte më tej.
Bisedimet intensive mes Rusisë dhe aleatëve perëndimorë sollën qëndrime të ndryshme dhe ndonjëherë edhe kërcënime, por përfunduan që dyja palët nuk janë afër ndonjë zgjidhjeje të çështjes së Ukrainës, që, sipas ekspertëve, mund të shndërrohet në një nga krizat më të këqija të sigurisë në Evropë.
Të premten, tensionet u rritën edhe më tej. Ukraina tha se ishte në shënjestër të një sulmi masiv kibernetik që ia atribuonte Rusisë, dhe Shtëpia e Bardhë tha se kishte inteligjencë që Moska kishte planifikuar operacione në Ukrainën Lindore, që do të krijonte një pretekst për një pushtim. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi ndërkaq të premten se Moskës po i mbaronte durimi.
“Ne nuk do të presim përgjithmonë”, tha Lavrov. “Durimi ynë ka mbaruar… Të gjithë e kuptojnë se situata nuk po përmirësohet. Potenciali për konflikt po rritet.”
Sa i përket Ukrainës, nuk janë planifikuar bisedime të mëtejshme dhe SHBA-ja sinjalizoi se topi tashmë është në fushën e Rusisë.
