Zgjerohet zona e mbrojtur në ishujt Galapagos, shtohet me 138 mijë kilometra katrorë

Dikur biologu Charles Darëin do t’i vizitonte ishujt Galapagos të Ekuadorit për të formuluar teorinë e tij të evolucionit. Zona është e njohur për pasurinë e rrallë të botës shtazore, ujore dhe bimore.

Sot, presidenti i Ekuadorit ka vendosur që ta zgjerojë zonën e mbrojtur me 138 mijë kilometër katrorë.  

Territori i mbrojtur me ligj për ujore në ishujt Galapagos do të zgjerohet edhe me disa kilometra të tjerë. Ekuadori ka vendosur të krijojë një rezervë të re masive detare në veri të ishujve Galapagos.

Ky rezervat i ri masiv do të formojë një korridor mes Oqeanit Paqësor deri në Parkun Kombëtar të Kosta Rikës për të ruajtur speciet ujore migratore.

Presidenti i vendit Guillermo Lasso nënshkroi dekretin për hapësirën e re që kalon në mbrojtje dhe është rreth 138,000 kilometra katrorë. Në rezervatin detar të Galapagos, peshkimi industrial është i ndaluar.

Ky është rezervati i dytë më i madh në botë, ku më shumë se 2,900 specie detare janë raportuar brenda arkipelagut. Ndërkohë, për shkak të shumëllojshmërisë së specieve ai është gjithashtu edhe një sit i Trashëgimisë Botërore Natyrore.

Autoritetet, ndërkohë, në bashkëpunim me organizata ndërkombëtare, po planifikojnë që zonat e mbrojtura që janë ngjitur të bashkohen më vonë, duke krijuar një rezervë më të madhe ndërkombëtare për biosferën detare.

Ky projekt shërben për të ruajtur të paprekur rreth 40 % të gjallesave detare në botë, teksa detet dhe oqeanet marrin vëmendjen e duhur si rregullatorët kryesorë të klimës në botë.