Trump sulmon Biden për vaksinat kundër Covid

Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës hodhi poshtë urdhrin federal të presidentit Joe Biden për vaksinimin me detyrim kundër Covid  të punonjësve të bizneseve me mbi 100 të punësuar.

Ish-presidenti Donald Trump në një reagim ndaj vendimit të Gjykatës Supreme tha se e mbështet fuqimisht dhe se nëse gjykata do kishte vendosur të kundërtën, ekonomia do të shkatërrohej akoma më shumë.

Trump: Gjykata e Lartë foli, duke konfirmuar atë që ne të gjithë e dinim, urdhrat katastrofike të Biden janë antikushtetuese. Biden premtoi të shkatërronte virusin, jo ekonominë, por ai ka dështuar keq në të dyja, dhe mandatet e vaksinave do ta kishin shkatërruar më tej ekonominë.

Donald Trump i cili ka shpallur kandidaturën presidenciale për zgjedhjet e vitit 2024, është shprehur pro vaksinimit, por ai e quajti flagrante detyrimin për t’u vaksinuar.

Deklaratat e konservatorit, erdhën pasi ai mori dozën e tretë të vaksinës gjatë këtij viti.

Urdhri për vaksinim të detyrueshëm përfshinte rreth 80 milionë të amerikanëve dhe përfaqësuesit e bizneseve në padinë e tyre kundër administratës Biden, u shprehën se përveç shkeljes së të drejtave të njeriut do të shkatërronte ekonominë dhe miliona biznese.

Gjyqtarët në gjykatën më të lartë të vendit thanë se urdhri tejkalonte autoritetin e administratës Biden.

Në SHBA, rreth 62,7% e popullsisë janë të vaksinuar me të dyja dozat, ndërsa dozën e tretë kanë marrë vetëm 23% e amerikanëve./Ora News/