Kremlini po e shqyrton ftesën e Stoltenbergut për takimin NATO-Rusi

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka kërkuar takim me palën ruse më 12 janar për të diskutuar për situatën e tensionuar në Ukrainë e më gjerë. Aleanca veriatlantike njofton se është duke pritur përgjigjen e Rusisë për zhvillimin e këtij takimi.

Rusët dhe NATO duket se kanë mbajtur të hapura kanalet e komunikimit edhe pse tensionet janë të larta prej javësh.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka kërkuar një takim të Këshillit NATO-s me Rusinë muajin e ardhshëm.

Një zëdhënës i aleancës veriatlantike njoftoi se është kontaktuar Moskën për të siguruar pjesëmarrjen e saj.

Stoltenberg ka folur edhe më herët për rifillimin e dialogut me Moskën, por sipas NATO-s, autoritetet ruse kanë qenë ato që kanë refuzuar.

Ne jemi në kontakt me Rusinë për takimin e 12 janarit, tha një zëdhënës i NATO-s.

Edhe Ministria e Jashtme ruse e ka pranuar se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka propozuar mbajtjen e një takimi në kuadër të Këshillit NATO-Rusi muajin e ardhshëm, por Kremlini nuk ka vendosur ende nëse do të marrë pjesë.

“Jemi duke e analizuar mundësinë”, ka thënë një zëdhënës i Kremlinit, sipas agjencisë së lajmeve, TASS.

Formati i takimit dhe përbërja e delegacionit rus është duke u shqyrtuar, ka thënë zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandr Grushko.

Tensionet mes Rusisë dhe NATO-s janë të larta, ndërsa rusët e cilësojnë vijë të kuqe Ukrainën, por vetë ukrainasit janë të shqetësuar nga një pushtim rus ndaj dhe kanë kërkuar ndihmën amerikane.

NATO ka denoncuar vazhdimisht aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe i ka bërë thirrje Moskës të respektojë sovranitetin territorial të fqinjit të saj.

Shefi i NATO-s, Stoltenberg riafirmoi mbështetjen e tij javën e kaluar për Ukrainën kundër ndonjë agresioni ushtarak të Kremlinit.

Në fillim të këtij muaji, Moska i paraqiti Perëndimit kërkesa gjithëpërfshirëse sigurise, duke thënë se NATO nuk duhet të pranojë anëtarë të rinj dhe Amerika të ndalojë së krijuari baza të reja ushtarake në ish-republikat sovjetike.

Takimi i 12 janarit është i pari i propozuar nga Stoltenberg që kur Moska bëri kërkesat e saj zyrtare.

Ndërkohë, një takim dy-ditor i krerëve ushtarakë të vendeve anëtare të NATO-s është planifikuar të nisë në të njëjtën ditë në Bruksel.