"Dikush është… por jo unë", Alec Baldwin mohon përgjegjësinë për të shtënat fatale në xhirimet e filmit

Alec Baldwin nuk ndihet fajtor për vdekjen e Halyna Hutchins, gjatë xhirimeve të filmit "Rust". Në një intervistë ekskluzive, ai ka shpjeguar për herë të parë pas tragjedisë në New Mexico, se nuk e qëlloi ai kineasten. Hetimet për incidentin tragjik që shkaktoi tronditje në Hollivud vijojnë ende, dy muaj pas ngjarjes.

Aktori amerikan Alec Baldwin ka folur për herë ta parë pas incidentit tragjik në shesh xhirim ku mbeti e vrarë Halyna Hutchins. Në një intervistë ekskluzive për ABC News, të parën që nga tragjedia në New Mexico nw muajin tetor, Baldwin u shpreh se nuk ndihet fajtor për vdekjen e kineastes.

"Ndjej se dikush është përgjegjës për atë që ndodhi dhe nuk mund të them se kush është. Por e di që nuk jam unë. Kam Zotin dëshmitar, nëse do të ndjeja se jam përgjegjës, mund të kisha vrarë veten”.

Baldwin po interpretonte një skenë Western-in gjatë xhirimeve të filmit “Rust” kur pas të shtënave me armë mbeti e vdekur kineastja Hutchins, ndërsa regjisori Joel Souza u plagos.

Duke e përshkruar incidentin në detaje, Baldwin tha se atij i kishin thënë se arma ishte "e ftohtë", zhargon i industrisë për një armë zjarri që nuk përmbante municion të vërtetë, dhe ishte udhëzuar nga Hutchins që ta drejtonte armën në drejtim të saj ndërsa ajo përgatitej të filmonte skenë.

"Unë e nisa të qëlloja dhe Hutchin ra në tokë," shpjegoi i përlotur aktori. Të gjithë u tmerruan, arma duhet të ishte bosh, më thanë se ishte bosh!”

Baldwin, së bashku disa me pjesëtarë tw stafit, po përballet me dy padi civile, ndërsa prokurorët kanë refuzuar të përjashtojnë akuzat penale.

Tragjedia ka shkaktuar tronditje në Hollivud, dhe tanimë po diskutohet për ndalimin e përhershëm të armëve në sheshxhirim.