"Të jemi arsye shprese për popullin tonë!" Mesazhi i parë i imzot Arjan Dodaj pas emërimit si Arqipeshkv
Papa Françesku emëroi një Arqipeshkv shqiptar të lindur e rritur në Shqipëri, në krye të Arqidioqezës Metropolitane Tiranë-Durrës.
Në mesazhin e tij të parë pas emërimit, imzot Arjan Dodaj falenderoi paraardhësin e tij Frendo për punën e bërë përgjatë këtyre viteve në krye të kishës katolike dhe Atin e Shenjtë që ja besoi këtë detyrë të rëndësishme.
Nga Dodaj nuk mungoi dhe përshëndetja për komunitetet e tjera fetare si mesazh për vazhdimësinë e bashkëpunimit dhe tolerandës fetare.
Ndërsa nga autoritetet qeveritare, qëndrore dhe vendore, kërkoi më shumë angazhim në mënyrë që të jenë shpresë për popullin.
Imzot Arjan Dodaj: Në këtë ditë që bëhet publik emërimi im si Arqipeshkv i kësaj kishe të dashur në Tiranë-Durrës dua t'ju përshëndes të gjithëve me fjalët me të cilat etërit tanë fillonin festat e tyre e që falë Zotit po kthehet dhe në takimet tona. Qoftë lëvduar Jezu Krishti! Përshëndes dhe falenderoj vëllazërisht arqipeshkvin tonë të dashur imzot George Frendo.
Në këto vite na ka udhëhequr në rrugën e ungjillit. Monsignior, shpresojmë që Zoti të thotë nuk ka vend as në Maltë se këtu ka vend shumë. Bashkë me të përshëndes Nunci Apostolik në Tiranë. Veçanërisht Papa Françeskut i shkon e gjithë mirënjohja për vëmendjen që ka ndaj kishës sonë të cilën ja beson angazhimit tim si bari.
Zoti na njeh dhe më njeh mirë në brishtësitë dhe kufizimet njerëzore por në jetën time gjithmonë e më shumë kam njohur dhe kam besim në mëshirën hyjnore.Dua të përshëndes çdo gjymtyrë që përbën trupin e kishës sonë këtu, lëvizjet kishtare, laikët e angazhuar dhe të gjithë besimtarët, veçanërisht të rinjtë. 30 nëntori na kujton festën e Shën Andreas, një festë që kremtohet nga vëllezërit tanë ortodoksë. Për këtë arsye ky emërim dëshiroj të jetë një ogur i mirë i vëllazërisë me ta. Andrea ka qenë gjithmonë një urë lidhje mes Lindjes e Perëndimit.
Ashtu sikur në fakt ka qenë gjithmonë vendi ynë, i besojmë ndërmjetësisë së Shën Andreut së bashku si vëllezër dhe me ungjillorët. Veçanërisht një përshëndetje për komunutetin mysliman dhe bektashi. Në harmoninë ndërfetare që karakterizion vendin të jemi gjithmonë të angazhuar për vlerat që na bashkojnë dhe që së bashku promovojmë.
Tirana është një metropol i gjallë plot gjallëri dhe sfida, të cilat kanë nevojë për përkushtimin e të gjithë aktorëve që e përbëjnë atë. Të gjithë jemi të nxitur në një lutje dhe kujtim të veçantë për autoritetet qeveritare qëndrore dhe vendore, së bashku të jemi arsye shprese për popullin tonë.



