Pandemia shtoi dhunën! Avokatët: Në izolim, çiftet zbuluan tradhëtitë dhe veset
Qëndrimi mbyllur për shkak të pandemisë por edhe stresi i shtuar janë bërë shkak për rritjen e rasteve të dhunës në familje të cilat shpesh kanë përfunduar me pasoja të rënda deri në vrasje. Avokatët që trajtojnë këto raste në gjykatë thonë se gjatë pandemisë çiftet kanë zbuluar probleme apo vese tek njëri-tjetri, çka ka sjellë acarim të mardhënieve të shoqëruar edhe me dhunë. Gjatë 11 muajve të vitit 2021 në vend janë regjistruar një rekord prej 3288 denoncimesh për dhunë.
Periudha e pandemisë ka shtuar rastet e dhunës në familje pasi në kushtet e masave kufizuese të lëvizjes çiftet kanë qëndruar më shumë bashkë, duke zbuluar tradhëtitë apo veset e tjera që mund të ketë bashkëshorti ose bashkëshortja, ndër të cilat alkooli apo vese te tjera që nuk i kanë ditur më parë.
Konstatimi vjen nga avokatët që përballen pothuajse çdo ditë në gjykatë me raste të dhunës në familje që e veçojnë këtë periudhë me bumin e denoncimeve për dhunë dhe shtimin e kërkesave për divorc.
"Në kohën e pandemisë mund të jetë bërë shkak tradhëtia, një mesazh i zbuluar, ekonomia e dobët, alkooli në mënyrë intensive i partnerit apo partneres."
Avokatët thonë se pavarësisht ashpërsimit të dënimeve për dhunën e vrasjet në familje, kjo gjë nuk e ka zbutur fenomenin, madje përkundrazi kemi shtim të numrit të dënuarve për këtë vepër.
"Në 80% të rasteve organi i akuzës ka ardhur me masën e arrestit me burg në momentet e para derisa janë sqaruar rrethanat dhe faktet e kësaj situate."
Një i dënuar për dhunën në familje rrezikon deri në 5 vite burg.
Vetëm gjatë vitit 2021 kanë humbur jetën si pasojë e dhunës në familje 12 gra, ndërsa 3288 të tjera e denoncuan keqtrajtimin duke sjellë arrestimin e 506 autorëve të akteve të dhunës.
Sipas këtyre statistikave çdo ditë në vend janë regjistruar mesatarisht dhjetë raste denoncimesh, çka përbën përkeqësim të ndjeshëm të kësaj vepre penale në raport me periudhat e mëparshme.
