Foto/ "Po na përzënë nga toka jonë. Fali Zot, s'dinë çfarë bëjnë" Pankartat e fermerëve para Kuvendit

Fermerët e Myzeqesë dolën sot me pankartat në duar, para Kuvendit, për të protestuar kundër heqjes së 6% dhe për të kërkuar më shumë mbështetje, pasi shumë fermerë rrezikojnë falimentin.
"Po na përzënë nga toka jonë. Fali Zot, se s'dinë çfarë bëjnë", ishte njëra nga pankartat që fermerët mbanin në duar.

Më pas kryeministri, Edi Rama, u ndal para kuvendit për të ftuar disa nga fermerët që ishin mbledhur.

Ndërsa fermerët ishin jashtë, me pankarta në duar ku ndër të tjera shkruhej dhe "Edhe Vuçiç për llogari të "Open Ballkan" do të kishte bërë një paketë fiskale më të mirë se kjo", brenda në Kuvend kishte nisur diskutimi për paketën fiskale 2022.
Pas takimit që zgjati vetëm disa minuta brenda Kuvendit me kryeministrin Edi Rama, një nga përfaqësuesit e fermerëve ngriti zërin edhe një herë se shteti duhet të mbështesë fermerët që punojnë tokat shqiptare.

Grupi i fermerëve të Myzeqesë i kanë treguar problematikat kryeministrit në këtë takim joformal disaminutësh dhe pas disa debateve kanë rënë dakord që të organizohet dhe një takim tjetër për tu ulur për ti shprehur problematikat e tyre.
Fotot u realizuan nga Malton Dibra, LSA.


