Do të votoja për bashkimin kombëtar, deklarata e Albin Kurtit shkakton reagime në Serbi

Deklarata e Albin Kurtit për një bashkim kombëtar demokratik dhe paqësor të shqiptarëve ka sjellë reagimin e aktorëve politikë në Serbi. Homologia e tij serbe Ana Bërnabiç e ka cilësuar këtë deklaratë të rrezikshme dhe që mund të destabilizojë Ballkanin në të ardhmen. 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti përsëriti edhe një herë në një intervistë me zë për revistën online “Monocle” se do të votonte pro nëse do të prezantohej një referendum demokratik për bashkim me Shqipërinë.

“Në të ardhmen nëse do të prezantohej si një referendum demokratik në mënyrë paqësore do të votoja pro, por e përsëris prapë, vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”, ka thënë Kurti kur është pyetur se si do të votonte në një referendum për bashkim me Shqipërinë.

Kryeministrja serbe Ana Brnabiq e cilësoi si deklaratë që në të ardhmen mund të destabilizojë seriozisht të gjithë rajonin.

"Ajo deklaratë është vetëm një gur tjetër në minimin e themeleve të stabilitetit rajonal dhe sigurisë rajonale. Deklarata mund të shkaktojë trazira të mëdha në të gjithë rajonin. Politika e Albin Kurtit është e qartë, të cilën ai duket se nuk e fsheh. Ajo që e shqetëson më shumë është mungesa e reagimeve të komunitetit ndërkombëtar”, tha kryeministrja serbe për mediet vendase. Bërnabiç kërkoi reagimin e Viola von Cramon, raportuese evropiane për Kosovën, për këtë deklaratë.

E pyetur nëse është e mundur që një skenar i tillë të ndodhë në të ardhmen, Brnabiq është përgjigjur se dyshon, por është e nevojshme që të gjithë aktorët ndërkombëtarë të thonë se është e pamundur.

“Varet se si do të reagojë bashkësia ndërkombëtare, por kjo do të nënkuptonte pasoja shumë më të gjera për të gjithë rajonin, por edhe për rajonet e tjera në Evropë dhe në botë. Shpresoj se nuk kanë reaguar pse është fundjavë, se e kanë pushim, edhe pse shohim se Viola von Cramon pëlqen ta kritikojë Serbinë edhe në fundjavë”, tha kryeministrja Brnabiç.

Më herët, edhe Drejtori për të ashtuquajturën Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kërkoi reagimin e bashkësisë ndërkombëtare për deklaratën e Kurtit. Edhe ai kishte të njëjtën qasje me kryeministren e tij Bërnabiç se heshtja e aktorëve ndërkombëtarë mund të nënkuptojë miratimin dhe zvarritjen e rajonit në konflikte të reja.

Kurti ka thënë edhe më herët se është pro një bashkimi paqësor dhe demokratik të Kosovës me Shqipërinë.

“Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete por një komb, ne nuk e shpallem pavarësinë kundër Shqipërisë, por kundër Serbisë”, ka thënë Kurti.