Europa në rrezik nga Covid, OBSH: 500 mijë viktima deri në mars nëse nuk merren masa

Organizata Botërore e Shëndetësisë është "shumë e shqetësuar" për përhapjen e Covid-19 në Evropë, ndërsa kontinenti lufton një valë të re infeksionesh.

Drejtori rajonal Dr Hans Kluge, në një intervistë për BBC paralajmëroi se 500,000 vdekje mund të regjistrohen deri në mars, nëse nuk ndërmerren veprime urgjente. Paralajmërimi vjen teksa disa vende europiane raportojnë shkallë rekord të infeksionit.

“Covid-19 është bërë edhe një herë shkaku numër një i vdekshmërisë në rajonin tone dhe ne e dimë se çfarë duhet bërë për të luftuar virusin. Mbajtja e maskave mund të ndihmojë menjëherë”.

Kluge tha se masat e detyrueshme të vaksinimit duhet të shihen si një "zgjidhje e fundit", dhe se nuk ka kohë për të zhvilluar një "debat ligjor dhe shoqëror" për këtë çështje. Ai shpjegoi se një numër faktorësh që kanë ndikuar në këtë situatë përfshirë vaksinimin e pamjaftueshëm, sezonin e dimrit dhe dominimin rajonal të variantit shumë të transmetueshëm Delta.

Në këtë situatë, disa vende po marrin masa drastike. Austria ka njoftuar një bllokim kombëtar duke filluar nga 22 nëntori, ndërsa vende si Republika Çeke dhe Sllovakia kanë thënë se po vendosin kufizime të reja ndaj njerëzve që nuk janë të vaksinuar.

Javën e kaluar Holanda vendosi një bllokim të pjesshëm tre-javor për të parandaluar përhapjen e COVID-19 pasi gjatë periudhës së fundit është shënuar rritje e rasteve të reja me koronavirus.