Artisti shqiptar ofron ‘terapi’ me portrete të pikturuara me kafe, bëhet viral në mediet ndërkombëtare
Artisti shqiptar David Kryemadhi lyen furçën e tij me kafe dhe skicon me kujdes fytyrën e klientëve që ndodhen në lokale, me shpresën që një portret falas të sjellë gëzim mes ankthit të pandemisë.
Shumë shqiptarë i konsiderojnë kafenetë si një institucion jetik dhe vendi prej 2.8 milionë banorësh ka numrin më të lartë të kafeneve në botë për popullsi.
“Arti dhe kafeja ndihmojnë shumë njerëz”, tha Kryemadhi për AFP në qytetin bregdetar të Durrësit.
“Momenti i qetësisë dhe reflektimi gjatë pikturimit të një portreti ndihmon personin tjetër të fitojë vetëbesim dhe ta shohë botën me një sinergji pozitive.”
Kryemadhi përdor kafen si bojëra uji, duke kompozuar portrete. Ai shton ujë në mënyrë që të përfitojë nuanca të ndryshme.
Në kafenetë e Shqipërisë, ai ka gjetur një ambient natyral për mënyrën e tij të terapisë së artit.
Për të gjetur subjekte për të pikturuar, ai fillon biseda me klientët përpara se të ofrojë një portret falas.
“Më bëri shumë mirë”, tha studentja Aleksandra ndërsa priste që portreti i saj të thahej.
"Unë gjej në këtë pikturë të gjitha emocionet dhe mendimet e mia."
'Terapia e suksesshme'
Eva Allushi nga Universiteti i Durrësit shpjegon se kafenetë në Shqipëri janë "një formë thelbësore e jetës shoqërore" ku njerëzit ndihen të lirë të shprehen.
“Risia në artin e Davidit është fakti që ai ndërton ura me bashkudhëtarët në këtë institucion shqiptar,” tha ajo.
Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë, vendi ka afërsisht 600 kafene për 100,000 njerëz, një nga më të lartat në botë.
Kryemadhi tha se shpresonte që portretet e tij do të ndihmonin në zbutjen e stresit të shkaktuar nga koronavirusi në Durrës, një zonë që ende po shërohet nga një tërmet shkatërrues në vitin 2019 që vrau dhjetëra dhe la mijëra të tjerë të pastrehë.
“Arti i kafesë është një nga terapitë më të suksesshme”, tha Kryemadhi.
"Ndihmon për të kapërcyer situata të vështira si ato të përjetuara me këtë pandemi ose nga tërmeti."


