Editorial i Drejt - Kushtetuta në pazarin e partive

Nuk përbën ndonjë surprizë fakti që menjëherë pasi Partia Socialiste depozitoi në Kuvend nismën për një ndryshim në Kushtetutë, të njëjtën gjë bëri edhe Partia Demokratike.

Edhe ajo nxitoi të shpallë menjëherë propozimet e veta, madje edhe me më shumë nene që sipas saj duhen ndryshuar, duke e bërë kësisoj të plotë skenarin e pazarit të partive me Kushtetutën.

Natyrisht, nuk paragjykojmë asnjë nismë serioze e të argumentuar që buron nga nevoja të lidhura me interesat themelorë të vendit, por të ndryshosh kushtetutën çdo gjashtë muaj e sa herë shfaqen interesa periferike të lidhura me konjuktura partiake, kjo është dëshmi e mungesës së seriozitetit në raport me shtetin dhe institucionet e tij.

Partia Socialiste e bëri të ditur që në seancën e miratimit të programit të qeverisë idenë e saj për ndryshimin e kushtetutës, me argumentimin se i duhet zgjatur mandati Komisionit të Përkohshëm të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik apo thënë ndryshe, dy institucioneve të Vettingut.

Pavarësisht argumenteve të paraqitura, ku ndër to më qesharaku është ai i pandemisë, në thelb ajo kërkesë pranon indirekt në mos dështimin, defektet e reformës në drejtësi.

Ndërkaq, Partia Demokratike duke e ditur që mazhoranca nuk i ka numrat për ta realizuar vetë idenë e ndryshimit të Kushtetutës, bën sfidën e saj në trajtën e një kundër-ofertë, duke paraqitur edhe ajo një draft ndryshimesh në Kushtetutë, natyrisht me një rreze më të gjerë e duke iu rikthyer idesë së saj të mëparshme për të përfshirë në kushtetutë edhe Vettingun e politikanëve.

Propozimet e te dy palëve kanë nevojë për votat e njëra-tjetrës.

Pazar apo thënë me fjalë të tjera ti do që unë të jap, por edhe unë dua që ti të më japësh, apo kompromis mbi logjikën e një zgjidhje të arsyeshme.

Të mos paragjykojmë, por le të presim e të shohin se në cilën hulli do të hyjë këtë radhë pasioni i politikës për të futur duart në Kushtetutën e Republikës.