Drejt - Kushtetutë e ndryshuar apo një Kushtetutë e re?
E miratuar fillimisht me referendum popullor më 21 tetor të vitit 1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë u votua më pas në Kuvend nga rreth 80 votat e deputetëve të mazhorancës së asaj kohe, ndërkohë që Partia Demokratike në opozitë e kundërshtoi gjatë fushatës për referendumin dhe abstenoi në votimin në Kuvend.
Presidenti i Republikës Rexhep Meidani përmes një akti ceremonial, e firmosi Kushtetutën e re më 28 nëntor 1998, ditën e festës tonë kombëtare.
Vendimi për miratimin e Kushtetutës u përshëndet menjëherë nga shtete dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë SHBA, BE, KE, si dhe shumë prej shteteve anëtarë të tyre.
Midis viteve 1998 dhe 2008 vendi u qeveris nga dy mazhoranca të ndryshme (1998-2005 nga e majta dhe 2005- 2008) nga e djathta, ndërkohë që të dy palët politike filluan të legjitimojnë aktet e tyre politike duke iu referuar Kushtetutës, dhe kështu, dokumenti themelor i shtetit filloi të marrë rëndësinë dhe rolin që i takon në sistemin politik dhe qeverisës në vend.
Gjithsesi, secila palë, në raste të ndryshme të ngërçeve apo krizave politike alibinë e kërkonte tek hapësirat apo klauzolat kushtetuese, duke premtuar rishikimin e saj në të ardhmen.
Më 2008 palët politike nisën një proces të shpejtë dhe bilateral, jo publik, të ndryshimit të kushtetutës në disa elementë thelbësor të saj. Procesi u mbyll me votim konsensual midis dy partive kryesore politike në prill 2008, por nën kritikat e shumta të disa institucioneve kushtetuese dhe të shoqërisë civile.
Me ndryshimet e reja kushtetuese u kalua nga sistemi i votimit miks në sistemin proporcional rajonal, KQZ u hoq tërësisht si institucion nga kushtetuta, u vendos mandat për Prokurorin e Përgjithshëm, si dhe u ndryshua mandati i qeverisjes vendore nga tre në katër vjet.
Ndryshimi thelbësor i paktës kushtetuese 2008 kishte të bënte me zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe mbi pozitën e Kryeministrit ndaj parlamentit.
Ndryshimet kushtetues sollën ndryshime edhe në jetën politike dhe institucionale, duke krijuar interpretime mbi shanset reale për garantimin e parimeve kushtetuese të transparencës, ndarjes dhe balancës së pushteteve.
Më 2012 palët kryesore politike, përsëri nën presion ndërkombëtar, pas muajsh debate arritën një konsensus tjetër për ndërhyrje në Kushtetutë, - kufizimin e imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e tjerë të lartë.
Ndryshimet u bënë në shtator 2012 dhe premtuan të ishin rezultati më i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit të lartë.
Pas tri vitesh, asnjë zyrtar i lartë me imunitet nuk është gjykuar e dënuar me ndihmën e këtij ndryshimi, gjë që shpreh kontrastin e thellë midis arsyeve që ndërhyhet në Kushtetutë dhe rezultateve reale në aplikimin e saj.
Më tej, nevoja për të realizuar një refomim tërësor dhe të thellë të sistemit të drejtësisë, imponoi sërish nevojën e ndërhyrjes, përkatësisht edhe të ndryshimeve në Kushtetutë, duke prishur në një farë mënyre tërësisht arkitekturën e organizimit të sistemit shtetëror, referuar konceptimit në Kushtetutën e miratuar në vitin 1998.
Dhe si për të vazhduar me precedentët e ndërhyrjeve, Kushtetuta u ndryshua përsëri në vitin 2020, duke ndërhyrë këtë herë edhe në vetë sistemin zgjedhor, duke aplikuar sistemin e votimit me lista të hapura.
Nga ana e opozitës, që duhet theksuar se kishte braktisur Kuvendin duke djegur mandatet dhe nga Presidenti i Republikës, këto ndryshime u konsideruan të njëanshme dhe të papranueshme.
“Akti i sotëm i ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm", u shpreh Presidenti i Republikës Ilir Meta, ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha theksoi se:
"Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën dhe në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për Opozitën, dhe aq më pak për qytetarët".
Mirëpo nuk mbaron këtu saga e ndryshimeve kushtetuese.
Sepse që në ditën e parë në seancën e miratimit të programit katër vjeçar të qeverisjes, ministri i drejtësisë shprehu nevojën e konsensusit të opozitës për ndryshimin sërish të Kushtetutës.
Natyrisht, ndryshimet në Kushtetutë nuk mund të jenë tabu.
Por, 30 vjet pas vendosjes së pluralizmit politik, do të duhej që palët politike të kërkonin e të gjenin zgjidhje e forma sa më të besueshme dhe efektive të rishikimit të kushtetues, pa u ndikuar nga nevojat politike të ditës dhe interesat e forcave politike aktuale në parlament.
Problemi i madh i sistemit tonë qeverisës është se Kushtetuta u miratua me referendum në vitin 1998, ndërsa ndryshimet kushtetuese nuk kaluan asnjëherë as formalisht në referendum.
Ato ishin produkt i politikës, ndaj kanë rezultuar afatshkurtra dhe jo efektive.
“Në detaje fshihet djalli”, thotë një shprehje gjermane, dhe detaje të tilla na tregojnë se nuk është sasia por cilësia e ndërhyrjes në Kushtetutë që përcakton fatin e saj.
Në këto kushte a mos është më mirë të hartohet një Kushtetutë e Re?
