YouTube bllokon të gjitha videot me përmbajtje kundër vaksinës Covid-19

YouTube do të bllokojë të gjitha videot me përmbajtje anti-vaksinë, duke shkuar përtej vendimit për ndalimin e vetëm të atyre përmbajtjeve të rremë të lidhura me vaksinat kundër COVID-19s.

Lajmi u njoftua të mërkurën nga vetë kompania.

Shembuj të përmbajtjes që nuk do të lejohen në YouTube përfshijnë pretendimet se vaksina e gripit shkakton infertilitet dhe se vaksina MMR, e cila mbron nga fruthi, shytat mund të shkaktojë autizëm, sipas politikave të YouTube.

Kompania online e videove në pronësi të Alphabet Inc (GOOGL.O) po ndalon gjithashtu kanalet e lidhura me disa aktivistë të njohur  kundër vaksinave, përfshirë Robert F. Kennedy Jr. dhe Joseph Mercola, tha një zëdhënës i YouTube, shkruan Reuters.

Në një email për shtyp të publikuar në faqen e tij në internet Mercola shkruan: "Ne jemi të bashkuar në të gjithë botën, nuk do të jetojmë me frikë, do të qëndrojmë së bashku dhe do të rivendosim liritë tona".

Kjo masë vjen pasi YouTube dhe gjigantët e tjerë të teknologjisë si Facebook dhe Twitter janë kritikuar se nuk kanë bërë sa duhet për të ndaluar përhapjen në faqet e tyre të informacionit të rremë të lidhur me shëndetin publik.

Edhe pse YouTube mban një qëndrim më të ashpër ndaj dezinformatave, ai përballet me reagime të ashpra në të gjithë botën.  Të martën, kompania bllokoi kanalet në gjuhën gjermane të RT-së, të mbështetura nga qeveria ruse. Kompania tha se kanalet kishin shkelur politikën e saj mbi dezinformacionin ndaj COVID-19.

Rusia të mërkurën e quajti këtë veprim "agresion të pashembullt të informacionit" dhe kërcënoi të bllokojë YouTube.