Nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut u përhapën dezinformata në zgjedhjet e 2019 në Australi

Jacob Wallis nga Instituti Australian për Politika Strategjike, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ka të dhëna që shtetet po shfrytëzojnë grupe me pagesë nëpër rrjetet sociale – që kryesisht përhapin dezinformata - me qëllim të shtrirjes së ndikimit.

Wallis, udhëheqës i programit për operacione të informimit dhe dezinformimit në Kanberra, ka përmendur se Kosova, bashkë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kanë qenë të përfshira në përhapjen e dezinformatave në zgjedhjet federale të mbajtura më 2019 në Australi.

Ai thotë se një nga arsyet pse aktivitete të tilla zhvillohen në vendet si Kosova është motivi financiar dhe pak mundësi për personat e përfshirë në këto aktivitete, që të merren me diçka më të madhe.

Për këtë arsye, ai beson se qeveritë duhet të punojnë me këto grupe, për t’i nxitur ato që kapacitetet t’i drejtojnë në diçka më kreative.

Sipas tij, qeveritë duhet të bashkëpunojnë, dhe jo të armiqësohen me platformat e rrjeteve sociale, sepse siç thekson ai, nga një ambient i tillë bashkëpunimi përfitojnë shoqëritë.

Radio Evropa e Lirë: Ju po ashtu e keni përmendur se rrjete dashakeqe kanë shënjestruar zgjedhjet federale të Australisë më 2019, sidomos nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke publikuar lajme të rreme dhe mashtrime nga rrjete të dezinformimit. Pse mendoni se këto shtete kanë shërbyer për kësi aktivitete?

Jacob Wallis: Zgjedhjet, referendumet dhe zhvillime me ndikim të madh politik janë bërë tani burim i financave për bizneset e angazhimit të njerëzve për qëllime ndikimi, sepse në këtë periudhë ka aktivitet më të madh në rrjetet sociale, rritje të interesimit për politikë, dhe njerëzit janë lehtë të lakueshëm pasi janë të përfshirë me emocione në zhvillimet politike. Kështu, këto periudha të bërjes fushatë gjatë zgjedhjeve janë kthyer në mundësi të madhe për personat që përfitojnë nga dezinformatat, dhe disa janë të motivuar pikërisht nga financat për të krijuar aktivitetet nëpër rrjetet sociale.

E dimë se ekziston një numër i sipërmarrësve mesatarë, të cilët kanë shfrytëzuar ndjenjat e fuqishme politike në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara dhe gjithë ai aktivitet është zhvilluar nga një vend i vogël i quajtur Veles në Maqedoni të Veriut, derisa më 2019, gjatë fushatës për zgjedhjet federale në Australi, transmetuesi televiziv australian ka gjetur pas një hulumtimi se, ka pasur persona nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut që kanë shfrytëzuar emocionet e fuqishme politike që janë shfaqur nëpër rrjetet sociale.

Ata kanë krijuar faqe të mëdha në Facebook duke përzier emocione të lidhura me kombin, apo edhe me tema të tilla si islamofobia. Aty janë mobilizuar grupe të mëdha njerëzish dhe më pas rrjetet në Facebook janë ushqyer me linqe dhe adresa në internet me përmbajtje nga ambienti ynë. Secilën herë që një përdorues i Facebook-ut ka klikuar në atë link, atëherë aty janë shfaqur reklama dhe më pas ajo reklamë ka gjeneruar të hyra. Ky model biznesi është ndërtuar për të drejtuar njerëzit drejt një ambienti në shërbim të reklamave, sepse përmes reklamimit rriten të hyrat dhe baza e ekonomisë digjitale.

Intervista per gazetaren e REL, Krenare Cubolli