Kalifornia voton për guvernatorin/ Demokrati Newsom kritikohet për keqmenaxhimin e pandemisë
Kalifornia nisi të martën mbajtjen e referendumit për të ardhmen e guvernatorit Gevin Newsom.
Zgjedhjet e parakohshme janë të dytat në historinë e shtetit dhe vijnë pas një vale kritikash drejtuar demokratit.
Sondazhet tregojnë se mbi 50 % e qytetarëve duan që Newsom të vazhdojë ta udhëheqë Kaliforninë që e fitoi në 2018-ën.
Më shumë se 40% kërkojnë zëvendësimin e tij për shkak të menaxhimit të pandemisë, masat kufizuese strikte, për problemin e të pastrehëve, kostot e larta të jetesës dhe për reagimin e dobët ndaj zjarreve që kërcënojnë shtetin jugperëndimor.
"Newsom e bllokoi ekonominë e Kalifornisë, mbylli bizneset e vogla dhe shumë njerëz nuk mundën të jetojnë si më parë, që të fitojnë para për t'u siguruar bukën familjes së tyre."
"Unë jam sëmurur me Covid dhe nuk ishte asgjë. Humba ndjesinë e shijes dhe nuhatjes për një javë. A mjafton kaq që të bllokojmë gjithë ekonominë jonë? Absolutisht jo," thanë dy qytetarë kundërshtarë të demokratit Newsom dhe simpatizantë të konservatorit Lerri Elder, i cili ka dalë mbështetës i ish-presidentit Donald Tramp, një figurë e papëlqyeshme në Kaliforni.
Presidenti Xho Bajden vizitoi të hënën shtetin me shumicë demokrate për të bërë fushatë në favor të guvernatorit aktual.
"Mbani Gevin Newsom-in si guvernator ose do t'ju vijë Donald Trampi. Votoni kundër që ta mbroni Kaliforninë nga Trump-i," apeloi kreu i shtetit.
Postin e guvernatorit të Kaliforninë e synojnë 46 konkurrentë dhe deri në mbrëmje qytetarët do duhet t'u përgjigjen dy pyetjeve: nëse duan ta shkarkojnë guvernatorin e tanishëm demokrat dhe me kë duan ta zëvendësojnë atë.
Vrau ish-bashkëshorten, del para Gjykatës Elton Metaj
14 Shtator, 10:22

