Kishte kthyer depon për kultivim marijuane, prangoset 24-vjeçari shqiptar në Spanjë

Agjentët e Policisë Kombëtare të Spanjës kanë arrestuar një të ri 24-vjeçar shqiptar, i cili kishte shndërruar një magazinë industriale në Perëndim të qytetit Murcia në një depo për kultivim marijuane.

Era e pagabueshme e marijuanës dhe aktiviteti 24-orësh i ajrit të kondicionuar, i shtynë oficerët e policisë të hetojnë dhe përcaktojnë se kush qëndron prapa plantacionit të marijuanës.

Kur agjentët hynë dhe kontrolluan magazinën, të ndarë në 5 dhoma, ata sekuestruan 820 bimë marijuanë me një lartësi të përafërt 60 cm, bëjnë me dije mediat lokale.

Po ashtu në depo u gjendën 203 transformatorë elektrikë, 150 llamba, 6 kondicionerë dhe 6 filtra të kondicionimi.

I ndaluari nuk po hetohet vetëm për trafiku droge, por ai është arrestuar edhe për krimin e vjedhjes së energjisë elektrike.

Policia verifikoi se si ai e siguronte energjinë elektrike për të gjitha instrumentet e përdorura për kultivimin e drogës duke e lidhur me rrjetin publik.