Video nga përmbytjet vdekjeprurëse në Afganistan, shënohen 40 viktima, 150 të zhdukur

Të paktën 40 njerëz kanë humbur jetën dhe 150 janë zhdukur, si pasojë e përmbytjeve që kanë pushtuar provincën Nuristan, në verilindje të Afganistanit.

"40 persona kanë vdekur nga përmbytjet mbrëmë" në zonën e Kamdes, rreth 200 km në verilindje të Kabulit, ndërsa  operacioni i shpëtimit është duke u zhvilluar, tha për AFP udhëheqësi i këshillit vendas, Saidullah Nuristani.

Sipas tij, rreth 150 persona rezultojnë të zhdukur, ndërsa 80 shtëpi janë shkatërruar.

Sipas zyrtarëve afganë, është e vështirë të merret informacion i besueshëm për situatën, pasi Kamdes ka rënë nën kontrollin e talebanëve dhe telekomunikacioni është në gjendje të keqe.

Fatkeqësi të tilla janë të zakonshme në vend, veçanërisht në zonat e varfra rurale, ku shtëpitë zakonisht janë të ndërtuara  me material jo cilësor.