Akuzohet për trafik armësh, 40 ditë burg për Fjolla Morinën, pritet ekstradimi në Shqipëri

Këngëtarja, Fjolla Morina, do të mbahet në "arrest me burg" për 40 ditë pas arrestimit nga policia në Prishtinë. Gjykata e këtij qyteti pranoi kërkesën e prokurorisë e cila theksoi se këngëtarja duhet të ekstradohet në Shqipëri pasi është dënuar në mungesë për trafik armësh dhe largim nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Gjykata e Prishtinës caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" për 40 ditë ndaj këngëtares Fjolla Morina pas arrestimit të saj pak ditë më parë nga policia e Kosovës.

Vendimin e ka marrë të mërkurën gjyqtari i procedurës paraprake Agim Kuçi, në prezencën e prokurores Javorka Prilincevic, të pandehurës Fjolla Morina me mbrojtësit e saj, avokat Fehmije Gashi-Bytyqi dhe avokat Fanol Krasniqi si mbrojtës kryesor.

Prokuroria njoftoi në seancë se e pandehura akuzohet për trafikim më armë dhe arratisje nga vendi i paraburgimit.

Masa e paraburgimit për 40 ditë do llogaritet prej momentit kur Morina është arrestuar me 17 korrik 2021, me qëllim realizimin e procedurave të ekstradimit në Shqipëri.

Fjolla Morina është e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, pasi mbi të rëndon akuza për trafikim të armëve dhe municionit në Shqipëri.

Këngëtarja është  shpallur në kërkim më 21 prill 2021, një muaj pasi Gjykata e Kukësit e dënoi me 6 vite burgim për “trafik të armëve dhe municionit”.

Këngëtarja u ndalua nga policia në shtator të vitit 2020, në pikën e kalimit kufitar Morinë, pasi iu gjet një armë zjarri pistoletë tip “Zoraki” me 23 fishekë.

Ajo është justifikuar përballë oficerit të Krimeve se i ndërronte çantat e dorës shpeshherë dhe se nuk e dinte çfarë kishte brenda saj.

Bashkë me Morinën ishte arrestuar edhe biznesmeni Fisnik Syla, me të cilin këngëtarja ishte martuar gjatë kohës kur po kërkohej nga Interpoli.

Pas arrestimit, gjykata e la Fjolla Morinën në "arrest shtëpie" në Kukës por ajo u largua nga banesa ku duhej të qëndronte duke humbur gjurmët, ndërsa policia e shpalli në kërkim.