Kryeministri italian: BE mund të mos e miratojë kurrë vaksinën ruse Sputnik V

Kryeministri i Italisë, Mario Draghi, ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian mund të mos e miratojë fare përdorimin e vaksinës së Rusisë, Sputnik-V. Italia është vend anëtar i BE-së.

“Sputnik, ende nuk ka arritur të miratohet nga Agjencia Evropiane e Barnave dhe mbase nuk do të ndodhë kurrë”, tha Draghi.

Kryeministri Italian hodhi dyshime edhe për vaksinën e Kinës, Sinovac, kundër koronavirusit.

"Vaksina kineze ka treguar se është e pamjaftueshme, shikoni përvojën në Kili", shtoi udhëheqësi italian.

Kili e ka mbështetur shumë procesin e imunizimit te vaksina kineze por  autoritetet atje kanë thënë se janë duke e shqyrtuar mundësinë që të shtojnë edhe një dozë të tretë për të rritur mbrojtjen ndaj varianteve të reja të koronavirusit.

Deklaratat Mario Draghi i bëri pas përfundimit të një samiti të vendeve të BE-së në të cilin udhëheqësit evropianë patën një diskutim të përgjithshëm mbi gjendjen e pandemisë.

Të dyja vaksinat, Sputnik V dhe Sinovac, janë nën një proces shqyrtimi nga Agjencia Evropiane e Barnave.

"Pandemia nuk ka mbaruar, ne ende nuk kemi dalë prej saj", tha udhëheqësi italian, duke përmendur përhapjen e variantit më të transmetueshëm Delta në Britani të Madhe.

Dy vende anëtare të BE-së, Hungaria dhe Sllovakia e përdorin edhe vaksinën ruse Sputnik V.