Refuzohet kërkesa për një samit me Rusinë, kërkohet strategji me Turqinë

Shtetet e Bashkimit Europian e kanë refuzuar në shumicë nismën franko-gjermane për një samit të shpejtë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Përpara nisjes së ditës së dytë të takimit mes liderëve të BE-së, kancelarja Merkel e cila e propozoi një kapitull të ri bashkëpunimi me Moskën, tha se propozimi i saj nuk gjeti miratimin e vendeve balltike pranë Rusisë.

Polonia dhe Lituania janë ndër vendet që kërkojnë nga Kremlini të ndalë agresionin dhe të respektojë integritetin territorial të fqinjëve.

"Sot nuk qe e mundur të binim dakord për një takim të menjëhershëm të nivelit të lartë. Mendoj se formati i dialogut duhet vlerësuar, dhe personalisht kisha pritur një vendim konkret" u shpreh Merkel

Në konkluzionet e tyre, liderët e BE-së kërkuan nga Rusia t'u japë fund veprimtarive keqdashëse brenda unionit dhe të angazhohet për konstruktivitet nëse dëshiron përmirësim të raporteve dypalëshe politike dhe ekonomike.

Për raportet me Turqinë u vu theksi te ruajtja e stabilitetit në Mesdheun Lindor dhe të drejtat e njeriut, ndërsa për Bjellorusinë u përsërit se do vazhdojë të mbetet objekt sanksionesh, për sa kohë i shmanget zgjedhjeve të reja presidenciale, nuk liron të burgosurit politikë dhe vijon represionin ndaj medieve.

Në Bruksel u diskutua të premten edhe për çështjet si pandemia, rimëkëmbja ekonomike e debat hapi sërish ligji i fundit hungarez që ndalon mësimin në shkolla mbi homoseksualitetin.

Kryeministri Viktor Orban thotë se ai po lufton për të drejtat e fëmijëve dhe prindërve.

"Në regjimin komunist, homoseksualiteti ndëshkohej. Dikur kam luftuar për lirinë dhe ende i mbroj të drejtat e homoseksualëve. Por ky ligj nuk ka lidhet me ta" tha Orban.

Sllovenia dhe Polonia janë të vetmet vende që kryeministri luksemburgas tha se janë rreshtuar përkrah Hungarisë në debatin e fundit.

Homologu i tij i Holandës, Mark Ryte, tha se për shkak të ligjit anti-LGBT, Hungaria ka pak merita për të qenë pjesë e Bashkimit Europian.

"Kujtoj një darkë 5, 6 apo 7 vite më parë me Viktor Orbanin dhe burrin tim në Budapest. Viktor Orbanin e sotëm në Këshillin Europian nuk e njoh më dhe këtë ia thashë në sy i zhgënjyer."

"Të jetë për mua, Hungaria nuk ka ç’i jep Bashkimit Europian, por për fat të keq me sistemin që kemi nuk e vendosim dot vetë" Mark Rutte

Liderët e 17 shteteve të BE-së firmosën të enjten, 24 qershor, një letër që edhe pse nuk përmend drejtpërdrejt Hungarinë, dënon "kanosjen e të drejta themelore, dhe në veçanti parimin e mosdiskriminimit për shkak të orientimit seksual."